E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: “Artan Hoxha do të jetë një president që do u shërbejë reformave”

11-06-2012 / Gazeta 55

“Propozimi i kandidaturës së zotit Artan Hoxha, është një përpjekje për të arritur një konsensus sa më të gjerë në opinionin publik”.
Kështu u shpreh dje kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta pas takimit të zhvilluar në kryesinë e Kuvendit me kreun e opozitës, Edi Rama. Meta tha se mazhoranca do paraqitet në Kuvend me kandidatin Artan Hoxha. Kreu i LSI-së vlerësoi backgroundin ekspertit të ekonomisë, Hoxha ndërsa u shpreh i sigurt se kandidati i mazhorancës është një figurë e gjithë-pranuar edhe nga opinioni publik. “Ajo që është e rëndësishme mendoj se, kur pritet të fillojë dita e re, nesër (sot) paradite, mazhoranca do të zyrtarizojë kandidatin për president të Republikës, zotin Artan Hoxha. Është një emër shumë i njohur për ju dhe për të gjitha ata që po na ndjekin. Është një personalitet i njohur i shoqërisë civile, me një karrierë tepër të pasur, por sidomos me një angazhim dhe përkushtim edhe si profesionist dhe ekspert në fushën ekonomike. Është një emër tepër publik dhe ndaj, komentet janë të tepërta”, u shpreh Meta.
Ai tha se ky emër vjen pas konsultës së fundit me opozitën, ku nuk u arrit konsensusi. Sipas tij, opozita refuzoi të katër kandidatët e propozuar nga mazhoranca.
“Pas më shumë se 2 orë e gjysmë debatesh, në një frymë tepër konstruktive, mazhoranca propozoi katër emra të cilët janë bërë të ditur. Dhe natyrisht nuk arritëm të gjenim konsensusin për asnjë nga këta katër emra me përfaqësuesit e opozitës dhe shprehim keqardhjen për këtë. Përpjekja për këto 4 emra ishte si qëllim për të arritur konsensusin me përfaqësuesit e opozitës”, tha ai.
Meta deklaroi gjithashtu se presidenti i ardhshëm, Artan Hoxha gëzon një konsensus të gjerë në vetë opinionin publik dhe në vetë opinionin mediatik, që është i njohur dhe i familjarizuar me të si një personalitet publik. “Mendoj se i ka të gjitha cilësitë për të përmbushur me përgjegjësi dhe dinjitet funksionin e Presidentin e Republikës. Jam i bindur që do të ndërtojë urat e domosdoshme edhe me opozitën”, tha ai.
Për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ky ka qenë një proces gjithëpërfshirës dhe tepër i debatueshëm. “Ka qenë një proces ku janë diskutuar shumë emra. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme edhe cilësia e kandidatit. Unë jam i bindur se, ky ishte një proces tepër demokratik, tepër evropian dhe me zgjedhjen që është më bërë sikurse në rastin e Zaganjorit edhe atë të z. Hoxha, ka qenë një proces transparent”.
Kreu i LSI-së iu referua edhe deklaratave të kryesocialistit Edi Rama, për bllokimin e statusit kandidat. Meta tha se statusi është penguar dhe mund të pengohet nga fryma konfliktuale e politikës shqiptare. “Dihet se cilat janë 12 rekomandimet e Brukselit, dihen detyrat dhe përgjegjësitë”, shtoi më tej Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›