Ilir Meta: Berisha e Rama, në tryezë për integrimin

Kreu i LSI-së kërkon bashkëpunim mes forcave politike për kompletimin e reformave të integrimit
Bashkëpunimi mes palëve është një domosdoshmëri dhe detyrim për shqiptarët, me qëllim realizimin e endrës evropiane. Një qëndrim i tillë u bë publik nga kreu i LSI-së, Ilir Meta gjatë punimeve të konventës kombëtare të LGI-së.
“E dimë shumë mirë se çfarë duhet të realizojmë që të tregojmë progres të dukshëm për të marrë statusin. Na duhet vetëm pak mirëkuptim e fleksibilitet që të mbyllim reformën zgjedhore, parlamentare, imunitetin dhe të zgjedhim një President që t’i kontribuojë procesit të integrimit europian. Nuk mendoj se është një sakrificë e madhe”, apeloi Meta.
Madje, në apelin e tij për bashkëpunim mes partive politike, e sidomos mes dy partive kryesore në vend, Meta risolli në vëmendjen takimin e tij me kryeministrin e Zimbabve.
“Në Vjenë takova kryeministrin e Zimbabve. Pyetja është: po ky si ulet me Mukaben për të diskutuar çdo javë që ka vrarë kaq shumë njerëz. Zagerai ulet me Mukaben, jo se ka harruar të kaluarën, të vrarët, manipulimin, por se ai e di shumë mirë se nëse nuk do ulet e të bashkëpunojë akoma më shumë njerëz do vriten në Zimbabve. Ndaj ngritja mbi të kaluarën është një kërkesë imediate”, vuri në dukje Meta.
Sipas tij, askush nuk duhet t’i kundërvihet kërkesës legjitime për integrim që nuk njeh përkatësi partiake.
“Ne jemi të vendosur për t’i kontribuar këtij procesi historik, tepër njerëzor, ku duhet të triumfoi toleranca e jo aroganca, e nesërmja e jo e djeshma. Në emër të kësaj të nesërme ngrihet platforma e LSI, sepse do ndihmojë përshpejtimin e integrimin evropian”, vlerësoi kreu i LSI-së, Meta.
Ndërkohë që referuar zgjedhjeve në këtë forumj, Meta deklaroi se “kjo është një konventë madhështore për fuqëzimin e vajzës, gruas dhe nënës shqiptare, pasi kjo lëvizje vjen jo për të mbyllur një kapitull të riorganizimit, por vjen për të hapur fuqishëm kapitullin e fuqëzimit të pozitës politike të vajzës dhe gruas shqiptare”.