Berisha: Shqipëri Serbi, koha për një frymë të re marrëdhëniesh
Budva- Kryeministri Berisha ka deklaruar nga Budva se ka ardhur koha që Shqipëria dhe Serbia të punojnë nën një frymë të re në marrëdhëniet midis tyre. Sipas tij e ardhmja për shqiptarët do të thotë marrëdhënie të mira me fqinjët.
Nën moton Bashkimi në Diversitet, kreu i qeverisë shqiptare, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha ka marrë pjesë në takimin e Evropës Juglindore, një takim i përvitshëm ky që organizohet nga Grupi i Mëngjesit të Lutjeve në Europën Juglindore, që ka për qëllim ndarjen e vlerave të përbashkëta dhe promovimin e tolerancës dhe bashkëetesës mes kulturave dhe besimeve të ndryshme.
Vendi im ka kënaqësinë të ketë marrëdhënie miqësore me Malin e Zi, me Kosovën dhe vende të tjera dhe natyrisht do të punojmë për një fryme të re në marrëdhëniet tona me Serbinë, sepse të pranosh njëri-tjetrin dhe të punosh së bashku – kjo është e ardhmja, komentoi Berisha.
Kryeministri Berisha para pjesmarrësve deklaroi se shqiptarët dinë të jetojnë në diversitet. Ata sipas tij besojnë që bashkimi në diversitet është forcë, është virtyt, është energji e pashtershme, është një vlerë hyjnore dhe njerëzore.
Sot ne jemi mbledhur në moton “Bashkim në Diversitet”. Në këtë pikë unë mbetem shumë shqiptar. Arsyet për ketë qëndrim duhet gjetur në historinë e kombit tim, një histori mjaft e vështirë, por kombi mbijetoi sepse ai mbeti i bashkuar në diversitet. Gjatë historisë sonë, disa dekada me parë pati përpjekje përçarëse në baza fetare, por kombi mbeti i bashkuar. Më vonë një pjesë e madhe e shqiptarëve të krishterë u kthyen në myslimanë. Historia mund të flasë. Tani ne jemi në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë. Kështu, edhe kombi im në diversitet është model i respektit të plote të diversitetit. Në familjet shqiptare gjen njerëz të cilët i përkasin besimeve te ndryshme, ka thën Berisha në fjalën e tij.
Takimi i Europës Juglindore organizohet për të 9-in vit, ndërsa Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve mblidhet çdo vit në Ëashington DC që nga 1953.