E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsultat për zgjedhjen e Presidentit/Patozi letër Ruçit: “Të nisim bisedimet për gjetjen e konsensusit për presidentin e ri”

26-05-2012 / Gazeta 55

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike-së, njëherazi pjesë e grupit të mandatuarve për negociatat e “Presidentit”, Astrit Patozi, i ka dërguar dje një letër homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, me qëllim intensifikimin e dialogut mes forcave politike.
Kur ka nisur procedura e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, negociatori demokrat Astrit Patozi bën një rezyme të situatës dhe qëndrimit të mazhorancës lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit. Patozi shprehet se PD është e gatshme për t’u takuar nga paraditja e sotme në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Garancia e PD është se, zgjedhja e presidentit do jetë një proces sa transparent, aq edhe i qytetëruar, sa gjithëpërfshirës, aq edhe Kushtetues.
Të mandatuarit e Partisë Demokratike, të cilët do të zhvillojnë negociata me partitë e tjera për çështjen e presidentit janë; kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, nënkryetari i PD-së Astrit Patozi dhe deputeti Edmond Spaho, të cilët do të informojnë kryesinë për procesin e bisedimeve me aleatët dhe forcat e tjera politike.

Letra e plotë e Patozit
KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË SOCIALISTE

ZOTIT GRAMOZ RUÇI

TIRANË

I nderuar zoti Ruçi,
Siç të gjithë e dimë, dje nisi procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Partia Demokratike, si forca kryesore e mazhorancës qeverisëse, e konsideron këtë si një moment solemn, jo vetëm për politikën, por për mbarë publikun shqiptar. Në filozofinë tonë, zgjedhja e Presidentit duhet të shërbejë për ngritjen në një nivel të ri të komunikimit mes forcave politike, por edhe për ngritjen në një stad të ri të emancipimit të shoqërisë sonë demokratike.
Në këtë kontekst, ne jemi të prirur për një proces, sa transparent, aq edhe të qytetëruar, sa gjithëpërfshirës, aq edhe serioz e kushtetues, i cili të nderojë secilin prej nesh dhe atë që ne përfaqësojmë.
Duke e konsideruar zgjedhjen e Presidentit të Republikës si një çështje që u takon ta zgjidhin në radhë të parë faktorët parlamentarë, Partia Demokratike më ka mandatuar mua së bashku me zotin Edmond Spaho si negociatorë për t’u konsultuar me përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të eksploruar të gjitha mundësitë e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit me një konsensus sa më të gjerë. Për këtë qëllim, ne jemi të hapur, që duke filluar nga nesër paradite, të takohemi me negociatorët Tuaj në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, në ditën dhe kohën që Ju e gjykoni të përshtatshme. Në pritje të një përgjigje nga ana Juaj, gjej rastin t’Ju shpreh konsideratën time më të lartë.

Me respekt,
Kryetari
Astrit PATOZI

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›