Ilir Meta: Formulë e re për Kodin Zgjedhor, presidenti simbol i unitetit kombëtar
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar sot nga Durrësi se e cilëson si të dështuar modelin spanjoll për zgjedhjet, ndërsa ka shtuar se vendi ka nevojë për një sistem të ri zgjedhor.
I pranishëm në konventën e Lëvizja e Gruas për Integrim, Meta deklaroi se Kodi Zgjedhor kërkon patjetër gjetjen me konsensus të një formule të re me qëllim që vota të jetë e barabartë dhe të numërohet drejt. Duhet gjetur mënyra për të arritur një konsensus pavarësisht nga formula, sepse ka disa të tilla që janë propozuar nga parti të ndryshme politike, që vota të jetë e barabartë, u shpreh kreu i LSI-së.
Ndërsa për zgjedhjet presidenciale, Meta është shprehur se Presidenti duhet të jetë një figurë gjithëpërfshirëse dhe që garanton institucionet e pavarura.
Një proces i tillë absolutisht që do të sillte një president tepër funksional edhe si simbol i unitetit kombëtar, por edhe si garant i funksionimit të institucioneve të pavarura dhe efikas, ka thënë Meta.
Gjatë Konventës së Lëvizjes së Gruas për Integrim, Meta e ka vënë theksin tek strategjia e LSI për rritjen e përfaqësimit të gruas në politikë si në nga elementët kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. 8 prill 2012.