Shqipëria në zi, dhimbje dhe lot për jetët e humbura në aksidentin e Himarës

Një ditë pas tragjedisë automobilistike në Himarë, i gjithë vendi është gdhirë sot i kapluar nga heshtja dhe dhimbja e madhe, për humbjen e 11 jetëve, të gjitha studente të Universitetit A. Xhuvani të Elbasanit. Mes viktimave, që sipas burimeve të policisë raportohen për 13 të vdekur, janë dhe dy meshkuj, drejtuesi i automjetit dhe i fejuari i njërës prej të plagosurave.
Familjet e studenteve, që fatkeqësisht kryen udhëtimin fatal drejt vdekjes po përgatiten të përcjellin për në banesën e fundit bijat e tyre. Studentë të Universitetit të Elbasanit dhe familjarë të viktimave dhe 26 studenteve të plagosura kanë kaluar natën në hidhërim duke pritur ndoshta që fati t’u kursente jetën atyre, që kishin mundur të mbijetonin edhe pse me dëmtime të pakthyeshme. Familjet e viktimave të pikëlluar nga tragjedia kanë tërhequr trupat e vajzave të tyre për t’i takuar për të fundit herë përpara se t’i nisin për në banesën e fundme. Tragjedia e Qafës së Vishës, në hyrje të qytetit të Himarësë, ndodhi dje rreth orës 16.00 në aksin rrugor Vlorë- Himarë, pasi një autobus me targë El 2274 B, me të cilin po udhëtonin vetëm studente femra të Universitetit të Elbasanit në një ekspeditë drejt Sarandës, doli nga rruga dhe ra në greminë rreth 60 metra. Tragjedia do të mbahet mend gjatë për faktin se në autobusin që i çoi drejt vdekjes ndodheshin vetëm studente femra, shoferi dhe i fejuari i njërës prej studenteve.
Tragjedia u mori jetën 13 personave, 11 studente dhe shoferi e i fejuari i studentes Besjana Xheneti.
Ndërkohë në këtë udhëtim drejt Sarandës ishin nisur dy autobusë me studentë të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, por në aksidentin tragjik është përfshirë vetëm autobusi ku ishin studentet femra, ndërsa në autobusin tjetër ndodheshin në bord studentë meshkuj.
Situata në Spitalin Ushtarak: Në gjendje kritike 4 studente
Në Spitalin Ushtarak në Tiranë ndodhen gjithsej të shtruara 14 vajza të cilat u lënduan në aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në Himarë. Drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero mëngjesin e sotëm raportoi gjendjen e vajzave të shtruara në Spitalin Ushtarak. Ai tha se për të marrë ndihmën e specializuar janë 9 vajza të plagosura, të shtruara në reanimacion. Pipero tha se 5 vajza janë në Kirurgji tek Spitali Ushtarak, me plagë të lehta. Ndërkohë që lajmi i mirë është që Besiana Dani ndodhet jashtë rrezikut. Në spitalin e Vlorës, 4 vajza janë në reanimacion, të plagosurit janë në gjendje stabël.
Ndërkaq ditën e nesërme 6 vajza dalin nga spitali. Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka bërë një panoramë të përgjithshme të gjendjes shëndetësore të studenteve të plagosura. Sipas ministrit Vasili, rastet janë në gjendje të qëndrueshme. Por ndërkohë që dy të plagosura janë në gjendje të rëndë. Për shkak të gjendjes së tyre të rënduar të plagosurat nuk mund të transportohen. Gjithashtu, ministri Vasili nuk fsheh faktin se dy vajzat mbahen në jetë me aparatura, pasi sipas tij, të plagosurat kanë dëmtime në kokë dhe trup.
Kryeparlamentarja Topalli në Spitalin Ushtarak
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u njoh nga afër me gjendjen shëndetësore të vajzave të plagosura nga aksidenti i djeshme dhe që janë shtruar për të marrë ndihmën e nevojshme në Spitalin Ushtarak. Sipas saj, gjendja e të palgosurave paraqitet e stabilizuar, ndërkohë që shprehu ngushilleme për humbjen e 13 jetëve në aksidentin tragjik në Himarë.
Studentet që po kurohen në Spitalin Ushtarak
Klatra Pollozhani
Alma Deda
Eranda Bato
Antoneta Taçe
Dorjana Kumria
Anisa Çobo
Shegushe Haka
Vesjana Dani
Besiana Xheneti
Në Spitalin e Vlorës ndodhen:
1. Elidona Gjinaj
2. Enkela Daja
3. Ticiana Hysa
4. Juliana Kuqi
5. Ergita Opingari
6. Adjola Musaka
7. Liri Hasa
8. Besjana Xheneti
9. Adisa Çela
10. Anisa Hysa
Në gjendje të mirë në Spitalin e Himarës është studentja Arta Ballabani.
Dëshmitë e studenteve të mbijetuara
Studentja Tisjana e Hysaj e shtuar në spitalin e Vlorës dha detaje të ngjarjes tragjike. Sipas saj, autobusi devijoi nga rruga, duke vënë në dukje faktin se mjeti ishte me shpejtësi. Sstudentja Ticiana bëri me dije se shoferi kishte humbur kontrollin që një kthesë përpara se autobusi të binte në greminë. Ndërkohë që e plagosura që po mjekohet në Spitalin Amerikan në Tiranë, Besiana Dani shpjegoi se drejtuesi i mjetit nuk kishte konsumuar alkool dhe nuk kishte shfaqur as shenja lodhjeje, apo shqetësime shëndetësore gjatë udhëtimit. “U nisem nga Elbasani, ndaluam në Apoloni dhe më pas do të ndalonim në Porto Palermo. Unë isha ulur nga fundi. Shoferi bëri një frenim në kthesë dhe automjeti iku jashtë kontrollit. Bëmë 2-3 rrotullime e më pas përfunduam në humnerë. Shoferi nuk ishte shumë shpejt, por në kthesë duhet të kishte qenë më ngadalë mendoj. Nuk dëgjova që kishte probleme, shoferi ishte mirë”, vlerësoi ajo.
E mbijetuara shpjegoi se vajzat ishin trembur edhe njëherë tjetër gjatë udhëtimit, pasi autobusi kishte shmangur një përplasje me një tjetër automjet.
-- Elbasan, homazhe në hollin e korpusit qendror
Elbasani është gdhirë sot i hidhëruar nga dhimbja e madhe që ka pllakosur pas aksidentit të ndodhur një ditë më parë në Himarë. Familjet e studenteve që humbën jetën janë bërë gati për mort, ndërkohë gjatë gjithë natës së kaluar studentë të Universitetit të Elbasanit kanë pritur kthimin e shoqeve dhe shokëve të tyre nga ekspedita. Pjesa tjetër e studentëve është kthyer rreth orës tre të mëngjesit. Ka qenë një skenë vërtet prekëse pasi një pjesë e tyre mungonte tashmë në apel. Në respekt të studentëve të tij, rektorati i universitetit të Elbasanit organizoi homazhe në hollin e korpusit qendror. Të shumtë ishin qytetarët që morën pjesë në këto homazhe. Trupat e pa jetë janë tërhequr nga familjarët të cilët kanë preferuar që të organizojnë ceremonitë mortore në familjet e tyre. Ndaj komisioni i homazheve të rektoratit të UE i organizoi homazhet me fotografitë e studentëve. Rektori i universitetit Aleksandër Xhuvani, profesor Liman Varoshi ka ndjekur në mënyrë të drejtëpërdrejtë të gjithë dinamikën e kësaj ngjarje të rëndë. Pas kthimit nga Vlora ai ka zhvilluar një takim me dekanët dhe profesoratin për të organizuar homazhet në nderim të studentëve.
I gjithë Elbasani është solidarizuar për të lehtësuar sa më shumë pasojat dhe dhimbjet e kësaj ngjarje të rëndë.
...