E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: LSI, forca politike që shikon drejt së ardhmes

09-07-2012 / Gazeta 55

Zhvillohet konferenca Zgjedhore e degës së LSI-së në Kozan, në Greqinë Veriore

“Qindra anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në degën e Prefekturës së Kozanit, votuan sipas parimit ‘Një anëtar, një votë’, për kryetarin e LSI-së në këtë degë”.
Lëvizja Socialiste për Integrim, mbajti dy ditë më parë Konferencës Zgjedhore të degës së kësaj force politike në Prefekturën e Kozanit në Greqinë Veriore. I pranishëm në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i Qarkut Gjirokastër, Vangjel Tavo, nga Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI, Spartak Braho, nga Sekretari Politik i LSI-së për Qarkun Korçë Piro Kapurani etj. Të pranishëm në këtë takim shumë të rëndësishme ishin edhe përfaqësues të pushtetit lokal në Greqi. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen që i japin Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Meta shprehu angazhimin e LSI për të ndërmarrë iniciativa konkrete, në veçanti në lidhje me mundësitë dhe lehtësitë për të investuar apo për të hapur mundësi punësimi në Shqipëri, si edhe për tu dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së patentave, çështjes së sigurimeve shoqërore, probleme që emigrantët shqiptarë kanë në Greqi.
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se duke pasur parasysh situatën aktuale ekonomike, jo vetëm në Greqi por edhe atë globale është e nevojshme një ripërshtatje të të gjithë politikave ekonomike dhe sociale duke favorizuar bizneset e reja apo hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas tij për këtë LSI do të ndërmarrë nisma konkrete në qeveri, edhe në Parlament për të ndërmarrë përmirësime ligjore.
“Ne e dimë se Greqia është në një situatë të vështirë. Këtë e ndjeni ju më shumë se kushdo por natyrisht që kjo ka efektet e saj edhe ën Shqipëri. Është rezultat jo thjesht i një krize të Greqisë por është rezultat edhe i një krize të përgjithshme globale dhe në Europë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për këto sfida të veçanta, për këto sfida të jashtëzakonshme të cilat përballohen me vizion, me kurajo dhe me solidaritet por njëkohësisht edhe në mënyrë sa më praktike dhe kreative sepse pasojat sociale, sidomos në drejtim të punësimit apo të papunësisë, kërkojnë edhe një ripërshtatje të të gjithë politikave ekonomike dhe sociale duke favorizuar bizneset e reja apo hapjen e vendeve të reja të punës. Për këtë ne do të ndërmarrim nisma konkrete në qeveri, edhe në Parlament për të ndërmarrë përmirësime ligjore”, vijoi ai.
Ilir Meta deklaroi se, “Lëvizja Socialiste për Integrim dallon edhe në Shqipëri nga forca të tjera politike sepse është një forcë e drejtuar nga e ardhmja, sepse është një forcë e orientuar drejt bashkëpunimit, është një forcë e drejtuar drejt dialogut dhe drejt zgjidhjeve”.
Kreu i LSI-së theksoi se, “këtë e treguam edhe gjatë muajve të fundit, gjatë debatit për çështjen e presidentit, ku besoj se edhe ju e keni ndjekur që falë përpjekjeve të LSI-së u realizua një dialog gjithëpërfshirës, u realizua një përpjekje për të ecur drejt një konsensusi, pavarësisht nga fakti që në fund të fundit ende politika tregoi që ka ende nevojë për tu pjekur akoma më shumë, për tu bërë edhe më e përgjegjshme në të ardhmen”.
Duke folur mbi Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI-së, e cila do të mbahet më 29-30 shtator të këtij viti, Meta u shpreh se LSI është duke u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013.
Sipas tij faktet kanë treguar në mënyrë të qartë se sa më e fortë të jetë LSI aq edhe më i fortë është stabiliteti politik i vendit, aq më pozitive është klima politike në vend, aq më shumë në politikën shqiptare dominojnë argumentet dhe jo fryma konfliktuale dhe arrogante.
Duke përfunduar kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në këto 22 vitet e fundit. Ai i ftoi të gjithë të pranishmit që të bashkojnë të gjitha energjitë dhe eksperiencat që vendi të jetë sa më shpejt anëtar i Bashkimit Europian.
“Shqipëria është Atdheu ynë i dashur, është një vend i bekuar nga Zoti, është një vend që ka një të ardhme të shkëlqyer, është një vend që ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë pavarësisht se pamjaftushmërisht por të mos harrojmë se ku ka qenë Shqipëria përpara 22 viteve. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, sot shqiptarët udhëtojnë pa viza drejt Greqisë dhe Bashkimit Evropian, sot shqiptarët janë në një vend i cili ka demonstruar një progres shumë të madh falë jo thjesht përpjekjeve të qeverive shqiptare por në veçanti falë vitalitetit të jashtëzakonshëm që ka populli ynë, që ka kombi ynë. Në të gjithë këtë sukses, në të gjithë këtë stad ku ndodhet sot Shqipëria, ju keni merita të veçanta dhe të jashtëzakonshme. Ke t’i bashkojmë akoma më shumë të gjitha energjitë tona, eksperiencat tona dhe mbi të gjitha ëndrrat tona për një të ardhme edhe më të mirë për të gjithë fëmijët tanë, në mënyrë që Shqipëria të jetë sa më shpejt anëtarë e Bashkimit Europian dhe ju të ndjeheni plotësisht të integruar si këtu në Greqi por edhe në Atdheun tuaj, në Shqipërinë tonë të përbashkët. Faleminderit dhe suksese”, deklaroi më tej kreu i LSI-së, Ilir Meta në Konferencën Zgjedhore të degës së LSI-së në Prefekturën e Kozanit, në Greqinë Veriore.
Pas përshëndetje të të pranishmëve, qindra anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në degën e Prefekturës së Kozanit, votuan sipas parimit “Një anëtar, një votë”, për kryetarin e ri të LSI-së në këtë degë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›