Mblidhet grupi i PD. Berisha: Pagat në Shqipëri po parakalojnë ato të vendeve të BE. PS të pranojë propozimin për imunitetin
Rriten investimet, dy projekte gjigande për vendin, ai i gazsjellësit TAP dhe i kaskadës së Devollit. Kryeministri theksoi gjithashtu se rritja e fundit e pagave dhe pensioneve u bë pa marrë borxh, nëpërmjet të ardhurave nga buxheti i shtetit
UPDATE- Në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar sot, kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria rriti rrogat dhe pensionet pa rritur borxhin, në një kohë kur rajoni i ka ulur me 40% ato, duke mbajtur kështu premtimin. Sipas kreut të qeverisë, ritmi i rritjes së pagave dhe pensioneve bën që Shqipëria të parakalojë disa prej vendeve anëtare të BE. "Rritja e rrogave është bërë dhe bëhet duke mos marrë qoftë edhe një qindarkë borxh. 3 mujori i parë i vitit regjistrohet si nga më të vështirët, për disa arsye, njëra prej tyre dimri i thellë që paralizoi të gjithë Shqipërinë. Faktori i dytë ishte thatësira e rëndë. Digat kanë qenë në nivelet më të ulëta historike tyre. Por performanca e mirë e tremujorit të dytë bëri që të marrim vendimin për rritjen e rrogave. Vende të zhvilluara në rajon kanë vendosur të ulin me 40 përqind rrogat e pensionet. Shqipëria lë pas me rrogë mesatare dy vende të BE dhe vitin që vjen do lërë edhe më shumë se kaq me këtë trend,” tha Berisha.
Berisha iu referua edhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend dhe rritjen e investimeve vendase dhe të huaja. Sipas tij, janë bërë 1 miliardë dollarë investime në Shqipëri, ndërkohë që papaunësia në vend është nën kontroll. Shefi i qeverisë shtoi më tej se dy nga projektet më të mëdha për vendin janë gazësjellësi TAP dhe Kaskada e Devollit. “Në tre vjet janë bërë më shumë se 1 miliardë dollarë investime në Shqipëri, ndërsa ka një ulje të moderuar të papunësisë”.
Kufizimi i imunitetit
Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës të votojë nismën e mazhorancës për heqjen e imunitetit në Kuvend. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha kërkoi nga opozita t’i përmbahet deklaratave të mëparshme të saj për heqjen e imunitetit përmes ndryshimit të kushtetutës. “Një çështje madhore është heqja e imunitetit. Unë edhe njëherë e ftoj Ramën që të vendosë për heqjen e imuniteti sepse mazhoranca e ka çuar në parlament variantin që opozita e ka mbështetur publikisht, me anë të ndryshimit të Kushtetutës. Unë e kuptoj që kundër këtij vendimi janë ata që kanë frikë nga vetja e tyre dhe përzihen në gjëra që s`duhet të përzihen. E ftoj Ramën sepse ne kemi sjellë në parlament variantin që ka sjellë opozita. Pretendimet që janë paraqitur në media janë absurde sepse të kërkosh të votohet gjykatësi me 3/5 ndërkohë që për presidentin është 50+1 kjo është absurd. Kjo është të dëgjosh këshillin e miliaderëve dhe jo zërin e qytetarëve”- u shpreh Berisha.
Ai theksoi se çështja e heqjes së imunitetit nuk duhet të trajtohet për kapital politik por në interes të qytetarëve. “Kur përdoren pretekse të cilat nuk qëndrojnë atëherë ju kërkoni të mbani qeverinë me imunitet, deputetët me imunitet dhe këtë nuk e bëni për interes të tyre por thjesht të një grupi të ngushtë në krye të kupolës së partisë. Unë uroj që heqja e imunitetit të mos jetë një çështje për kapital politik për asnjërën palë por në inreres të qytetetarëve në mënyrë që të gjitha palët ta votojmë dhe ta heqim këtë lak që rëndon çdo ditë mbiqytetarët shqiptarë”- tha shefi i ekzekutivit.
Berisha i është referuar gjithashtu edhe reformës zgjedhore për të cilën tha se janë bërë të gjitha përpjekjet për të arritur konsensusin më të gjerë të mundshëm. “Kemi bërë lëshimet tona të mundshme për të cilat nuk kam keqardhje dhe tematikaduket se po shkon drejt zgjidhjes. Është rënë dakort që elektonika dhe studimi pilot sipas PS-së të jetë për 20 përqind të zgjedhësve dhe sigurisht komosioni do të përcaktojë të gjitha rregullat nëse makineria dështon. Sado që te kemi besim tek “high tech” duhet të kemi më shumë besim tek njeriut. Nëse do të kemi defekte të vazhdojë procesin pa ndërprerë” – tha më tej kryeministri Berisha.
...