“OSBE-ja me prapaskenat e saj, dështoi me reformën zgjedhore”

Skënder Gjinushi sulmon ndërkombëtarët
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi e cilëson të dështuar punën e komisionit të reformës zgjedhore. Sipas tij, opozita nuk e ka luajtur rolin e vet në këtë aspekt sepse ajo duhet të jetë garantja dhe nuk mund që dashje-pa dashje duke firmosur një pseudo reformë konsensuale që s’garanton asnjë gjë të mirë në të ardhmen, ajo mashtron pjesën e popullit që beson tek opozita. Kur kanë mbetur edhe 4 ditë kohë në dispozicion të komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, Gjinushi kërkon nga PS të mos tolerojë në propozimet e saj, veçanërisht në identifikimin elektronik të kartave të identitetit.
“Refuzimi futjes së teknologjisë për kontrollin e kartave të identitetit të votuesve dhe për numërimin e votave, tregon qartas mungesën e plotë të vullnetit për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të vendosur barazi midis qytetarëve shqiptarë. Kjo denoncon qartazi dështimin e kësaj reforme e cila edhe në letër nuk garanton asgjë. Opozita është garante e zgjedhjeve, veçanërisht me një qeveri hajdute e cila manipulon. Opozita nuk mund të behët palë apo makiazh duke firmosur një pseudo-reformë e cila nuk jep asnjë garanci të re për zgjedhjet e ardhshme, përkundrazi garanton zgjedhje me të njëjtin vullnet politik me të njëjtat instrumente me të njëjtën infrastrukturë”, tha ai.
Në deklarimin e tij, mes zemërimit me PS-në, Skënder Gjinushi adresojë edhe një sulm ndaj misionit të OSBE-së në Shqipëri.
“Opozita ka pasur një platformë të qartë për këtë çështje e cila nuk është realizuar absolutisht, për faj të agresivitetit të kësaj qeverie dhe vullnetit të saj për të vjedhur, për faj të paaftësisë së opozitës për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe jo të vetat që e ka detyrim dhe për prapaskenat e misionit të OSBE-së i cili nuk është në krahun e shqiptarëve, nuk është në krah të votës së lirë, por kërkon që Shqipëria edhe këtë radhë të shtyjë radhën për të bërë zgjedhje formale sepse parashikohet nga 2018-ta të synojmë standardet zgjedhore”, u shpreh dje kreu i PSD-së.