Ilir Meta: Të hënën vendi do të bëhet me President
Kreu i LSI-së: “Kapriçiot e opozitës dogjën kandidaturën e Zaganjorit”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta reagoi pas tërheqjes së Xhezair Zaganjorit nga gara e zgjedhjes së presidentit të Republikës. Meta tha se është për të ardhur keq që edhe raundi i tretë u konsumua pa arritur një konsensus politik, çka çoi në heqjen dorë nga kandidatura të gjyqtarit Zaganjori. “Duke u njohur me tërheqjen nga kandidimi për president të Xhezair Zaganjorit, e cila ka qenë një iniciativë tërësisht sovrane e tij dhe që konfirmon, edhe një herë, integritetin dhe personalitetin e tij dhe faktin që ai nuk e kërkoi këtë pozitë por iu kërkua për hir të një konsensusi të gjerë për të marrë postin më përfaqësues, atë të Presidentit të Republikës”, u shpreh Meta.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, tha se mazhoranca s’do reshtë në përpjekjet e saj për konsensus, ndërsa theksoi se me ezaurimin e raundit të tretë, opozita i kufizoi vetes një mundësi të volitshme për të qenë pjesë e një procesi konstruktiv dhe konsensual.
Për kreun e LSI-së, axhenda e diskutimeve do jetë në funksion të zgjedhjes së presidentit që raundin e katërt, të hënën më 11 qershor. “Ne do të kontribuojmë, që brenda javës që vjen, duke u nisur që nga e hëna që Shqipëria të ketë presidentin e ri”, tha Meta.
Ju keni qenë mjaft aktiv në të gjithë procesin e zgjedhjes së Presidentit. Si mendoni se do të procedohet më tej pas kushteve të reja të krijuara sot?
Më tej, në radhë të parë, do të vazhdohet sipas Kushtetutës, e cila është tepër e qartë pas konsumimit të tre raundeve që impononin një konsensus. Përpjekja jonë, në radhë të parë si LSI, ka qenë e orientuar për një proces konstruktiv i cili sjell konsensus për zgjedhjen e presidentit. Më pas ky qëndrim u pranua dhe nga lidershipi i Partisë Demokratike dhe nga të gjithë kryetarët e partive parlamentare të mazhorancës. Aktualisht jemi në një situatë të re kur z. Zaganjori, me iniciativën e tij plotësisht sovrane, ka bërë një akt i cili tregon qartë se ky kandidat, i preferuar nga ana e mazhorancës dhe i ofruar për konsensus me
opozitën, nuk e kërkonte këtë funksion por iu kërkua për të mundësuar një konsensus të gjerë duke pasur në konsideratë faktin që ky figurë ishte votuar në të kaluarën nga të dy kahet e Parlamentit shqiptar për postin aktual që mbante.
A ishte e papritur për ju tërheqja e Zaganjorit?
Nuk mund të them se ishte krejtësisht e papritur pasi në bisedën e parë që unë kam zhvilluar me të ai ka qenë i prirur dhe i orientuar për të qenë një president me konsensus, pavarësisht se ka qenë një dëshirë e imja por pse jo dhe e Kryeministrit Berisha dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë politikë të partive të koalicionit qeverisës që të kishim një profil si ai i z. Zaganjori në postin e Presidentit të Republikës duke pasur në konsideratë krijimin e një klimë konstruktive dhe larg konflikteve politike.
Ju deklaruat sot (dje) se opozita humbi një rast të mrekullueshëm për të dhënë konsensusin. A do të thotë kjo se përpjekjet e tjera për konsensus do të jenë tashmë të kufizuara?
Këto përpjekje në radhë të parë kufizohen nga koha e kufizuar dhe së dyti opozita, që më vjen keq ta theksoj, i ka kufizuar këto mundësi për shkak të pjesëmarrjes së saj jo aktive në çështjen e presidentit të ri. Për arsye sepse mazhoranca nuk ofroi një kandidat konsensual të mazhorancës, por një kandidat konsensual të propozuar për të marrë konsensusin e opozitës sepse po të ishte fjala për një kandidat të mazhorancës mund të ishte çdo figurë politike e saj.
A mendoni se tashmë po shkohet drejt një kandidature politike për dy raundet e
tjera?
Nuk mund të flas ende për këtë çështje sepse kjo është një situatë e re por aspak dramatike. Natyrisht që ajo po trajtohet dhe menaxhohet me një qetësi maksimale. Të gjithë jemi në një moment reflektimi. Kemi ende kohë për të marrë vendimet më të pjekura. Fakti që unë theksova që do të veprohet sipas Kushtetutës tregon në radhë të parë koha është e kufizuar dhe këtë e kufizon vetë Kushtetuta. Kemi pasur mjaft kohë gjatë dy javëve të shkuara të tre raundeve që kërkonin një konsensus edhe për shkak të procedurave kushtetuese për të arritur këtë konsensus. Tani përsëri mendoj që përpjekjet nuk duhet të reshtin. Por, në fund të fundit koha është e kufizuar, prandaj theksova që do të veprohet brenda të gjitha afateve që parashikon Kushtetuta.
LSI ka thënë se do nuk do të votojë një figurë politike të PD-së. A do të vazhdoni
t’i përmbaheni këtij qëndrimi si parti?
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka thënë se nuk do të votojë për një figurë për nga PD-ja apo për një figurë nga PS-ja apo nga çdo lloj force politike. Por ka thënë se duhet të tentojmë drejt një presidenti konsensual që të shikojmë interesat e vendit dhe jo interesat e ngushta partiake. Pra, në rast se do të kishte një konsensus nga Partia Socialiste për një figurë politike, të Partisë Demokratike apo kushdo qoftë padyshim LSI-ja ka qenë dhe do të ishte e hapur apo anasjelltas. Kështu që në këto kushte kur ne i kemi konsumuar në mënyrë të jashtëzakonshme të gjitha përpjekjet tona të sinqerta dhe pozitive për arritjen e konsensusit dhe kur nuk e realizuam dot brenda afateve kushtetuese që e kërkonin në mënyrë të veçantë konsensusin. Natyrisht përpjekjet tona nuk do të reshtin.
Por dhe qëndrimi juaj mund të ndryshojë. Tashmë ju mund ta rishikoni qëndrimin tuaj për të mos mbështetur një kandidat politik, me kushtet e reja mund të mbështesni dhe një kandidat politik?
Këto nuk mund të jenë kurrsesi vendime personale të mijat, do të jenë vendime kolegjiale të bashkërenduara me kolegët e tjerë në LSI, por edhe të koalicionit qeverisës.
A pritet ndonjë takim i mundshëm gjatë fundjavës mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ose a ka ndonjë përpjekje për të realizuar një takim të tillë?
Besoj se gjatë këtyre dy ditëve do të ketë takime të ndryshme dhe të gjithë besoj do të bëjnë përpjekjet e tyre për të arritur një zgjedhje sa më konsensuale, pse jo për të filluar dhe një garë demokratike parlamentare në një Parlament sovran.
Ju personalisht a jeni optimist se mund të kemi një president konsensual deri në fund të javës së ardhshme?
Deri përpara dy orësh nuk e kisha humbur optimizmin që zoti Zaganjori mund të pranohej nga opozita dhe mund të votohej në raundin e katërt, sepse nuk ka pasur asnjë arsye thelbësore për këtë çështje dhe mendoj se edhe ata nuk ndihen shumë komodë ndaj kësaj tërheqjeje sepse kjo në fund të fundit tregoi që zoti Zaganjori në thelb kishte një personalitet, i cili nuk synonte postin por një mundësi për t’i shërbyer gjithë vendit dhe për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike. Dhe këtë e tregoi duke vizituar dhe selinë e PS dhe kryetarin e saj. Megjithatë e theksoj dhe njëherë se përpjekjet nuk do të rreshtin për një zgjidhje sa më konsensuale, por në çdo rast ajo do të jetë kushtetuese.