Analiza/Rama kërkon pushtet në tavolinë, duke propozuar struktura paralele me frymëzim sllav
Ndoshta s’është frymëzim sllav, por ngjan si i tillë. Edi Rama kërkon që të ushtrojë detyrat e kryeministrit pa u mandatuar nga populli. Ai kërkon ngritjen e strukturave paralele, që nga një tavolinë partiake e deri tek përfaqësimi i përbashkët në Bruksel, si një parakusht që ai të mund të japë konsensusin për presidentin e ri. Por pas seancës së djeshme, është marrë vesh se ai s’do konsensus, por veç pushtet në tavolinë
Edi Rama është ndalur sërish dje te kushtet e tij. Stacionimi në këtë “nivel” për një kohë të gjatë para, gjatë dhe pas djegies së tri raundeve të para të zgjedhjes së presidentit, të gjitha kushtet e tij “dalin në një qafë”, te një “kryekusht”…, ai i ngritjes së strukturave paralele, sigurisht duke u bërë pjesë e tyre ai vetë.
Sjellja e Edi Ramës lë pak shanse për të mos menduar e bërë ndonjë lidhje të mundshme me sjelljen e sllavëve, që kanë ngritur struktura paralele në veri të Kosovës. Ndoshta kjo sjellje e kreut të PS-së nuk është frymëzim sllav, por ngjan si i tillë.
I ngazëllyer dje, jo aq për djegien edhe të raundit të tretë të zgjedhjes së presidentit, se sa për largimin nga gara e kandidatit të mazhorancës, Edi Rama nxitoi që të kërkojë ushtrimin e detyrave të kryeministrit…, por pa u mandatuar nga populli.
Duke shpalosur “vizionin e pandryshueshëm” për zgjedhjen e presidentit, për heqjen e imunitetit, për reformën parlamentare, për reformën zgjedhore, Edi Rama kishte bërë kujdes dje, që të fuste si kusht në konvertimin më të fundit të kërkuar prej tij edhe drejtimit të “Familjes Europiane para përfundimit të këtij sesioni parlamentar për të kërkuar njëzëri që Shqipëria ta marrë statusin e kandidatit në 12 tetor”.
Qëndrimi i djeshëm i Edi Ramës, duhet pranuar se ishte më i avancuar, se qëndrimet e tij, sipas të njëjtës linjë, të shprehur edhe më parë.
Ndërsa më përpara ai ka kërkuar ngritjen e strukturave paralele nga një tavolinë partiake, dje hskonte shumë më lart, deri te përfaqësimi në Bruksel, si një parakusht a kryekusht, që ai të mund të japë konsensusin për presidentin e ri.
Shkurt ai kërkon të pyetet për çdo gjë. Por, këtë e kërkon në të vetmen mënyrë që ai di, atë kërcënuese.
Kjo u konfirmua edhe nga vetë ai, kur pas seancës së djeshme, u morë vesh se ai s’do konsensus, por pushtet në tavolinë, në emër të “krizës me dy anë të medaljes”.