PD: Presidenti i ri do zgjidhet në bashkëpunim me aleatët në qeverisje
Partia Demokratike, në një reagim zyrtar, ka denoncuar linjën politike bllokuese që po ndjek Edi Rama, e cila nuk synon zgjedhjen e një presidenti konsensual, por bllokimin e çfarëdolloj politike që e afron vendin me BE-në. PD kujton se në raundin e katërt, ajo do të jetë e detyruar ta zgjedhë presidentin e ri në bashkëpunim me aleatët në qeverisje, në të mirë të interesit të të gjithë qytetarëve
Partia Demokratike reagoi dje, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, pas tërheqjes nga kandidatura të Xhezair Zaganjorit dhe deklaratës së Edi Ramës i cili pas një takimi me tryezën e aleatëve, shpalosi edhe njëherë 4-5 kushtet e shantazhit. Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi tha gjatë një deklarate për shtyp se,
“Edi Rama dëshmoi se interesi i tij i vetëm ka qenë bllokimi i zgjedhjes së presidentit”. Gjithashtu, Partia Demokratike garanton aleatët e saj se në bashkëpunim me to dhe në përputhje me Kushtetutën, do i japë vendit presidentin që meriton.
“Sot kandidati konsensual i mazhorancës për president Xhezair Zaganjori dha dorëheqjen, pas refuzimit cinik, pa asnjë argument dhe të bazuar në shpifje, trillime dhe akuza fallco të kandidaturës së tij nga Rama, duke dëshmuar se ky personalitet nuk ka asnjë interes tjetër përveç se bllokimit të procesit të zgjedhjes së presidentit dhe përmes tij bllokimin e statusit kandidat të Shqipërisë. Përkundër thënies në publik që shqiptarët e dinë se Zaganjori ishte kandidat konsensual dhe se vetëm Rama dështoi për të dhënë konsensusin për shkak se Rama në mënyrë të padrejtë dhe jomeritore paragjykoi kandidatin parimor për President. Rama vazhdon të bëjë lojë qesharake duke përsëritur gjatë gjithë kohës që duke bllokuar konsensusin po përpiqet të bëjë Pazar me presidentin dhe të bllokojë reformat. Shqiptarët meritojnë një kandidat parimor dhe çdo vend, çdo parti politike do e mbështesnin përveç partisë që udhëheq Rama. Me deklaratën e bërë pas takimit të Ramës me aleatët faktohet qartë dhe përfundimisht se refuzimi i kandidaturës së Zaganjorit, Rama e bëri me qëllimin e vetëm për të bllokuar procesin dhe nëpërmjet tij, marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai tregoi se jo vlerat, aftësitë, integriteti dhe konsensusi, por pazaret pa princip dhe një proces bllokues për statusin e Shqipërisë si vend kandidat janë interesat e tij të vërteta. Ndonëse e bindur në qëndrimet dhe politikën bllokuese të PS, Partia Demokratike deklaron se ajo mbetet tërësisht e përkushtuar në bashkëpunim me aleatët dhe në përputhje me kushtetutën të bëjë gjithçka për t’i dhënë Shqipërisë një president të denjë siç e meriton, me interes për qytetaret”, thuhet në deklaratën për shtyp të zëdhënëses së PD, Silvi Bardhi.