Ilir Meta: Të mos humbet më asnjë minutë për integrimin
Edhe pse tashmë premtimit të madh të LSI-së, integrimit në BE, i ka dalë boja, kreu i saj, Ilir Meta, gjatë një takimi që ka mbajtur me të rinjtë në Fier, ka thënë se ky është angazhimi i madh i kësaj partie. Meta ka thënë se nuk duhet humbur asnjë minutë në rrugën drejt integrimit të vendit.
Është koha për të fituar edhe atë kohë që është humbur me pa të drejtë sepse nuk mund të pranojmë që të mos respektojmë kohën, ajo është më e çmuar dhe më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër sepse çdo minutë e humbur është një cenim i të gjithë interesave tuaja dhe të të gjithë të rinjve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Nga Fieri ne i ftojmë të gjithë politikanët që të sillen me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive sepse vendi ka nevojë për vendime të të rëndësishme, ka nevojë për përgjegjësi të përbashkëta në këto moment kur bota, Europa dhe rajoni janë të tronditur nga një krizë mjaft serioze ekonomike dhe financiare, tha Meta.
Më pas, ai vijoi duke thënë se, në këto momente Shqipëria nuk duhet të penalizohet më tej për shkak të interesave të ngushta partiake të cilitdo. Ndaj LSI do të vazhdojë të përqendrojë të gjithë energjitë e saj në prioritetin madhor të përshpejtimit të integrimit europian të vendit sepse kjo është një aspiratë e të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë aspirata e brezit të ri, e gjeneratave të ardhshme.