Basha: Vendimet në dobi të qytetarëve, 409 kredi të buta për strehimin

Mbledhja e Këshillit bashkiak, ‘strehimi’ në objektivat e administratës “Basha”, pas 11 vjetësh mashtrimesh të Edi Ramës
Bashkia e Tiranës, i ka hapur rrugë dje, lehtësimit të problemeve të strehimit në kryeqytet. Nëpërmjet dhënies së mbi 400 kredive të buta për familjet e pastreha, këshilli bashkiak i kryeqytetit, është bërë mbështetëse e politikave e premtimeve të kryebashkiakut Lulzim Basha edhe për këtë kategori.
Nga dje, bashkia e Tiranës ka nisur rrugën e një tradite të mirë, për lehtësimin e problemit të strehimit, traditë e munguar për rreth 11 vitet e drejtimit të Tiranës nga Edi Rama, i cili përveç demagogjisë, nuk bëri asgjë për këtë kategori.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje tetë projektvendime, të cilat adresojnë problemet e qytetarëve, mes tyre edhe miratimin e 409 kredive të buta për strehimin një çështje esenciale kjo për qindra familjarë të pastrehë. Këshilltarët votuan të gjitha pikat e rendit të ditës, i cili u miratua që në fillim të mbledhjes me votat e të gjithë këshilltarëve. Një prej vendimeve më të rëndësishme ishte ai i përfitimit të kredive të buta nga 409 familje të kryeqytetit, vendim i cili do të përmirësojë situatën e tyre të strehimit. Nga këto familje janë 184 të propozuara nga administrata e Bashës, ndërsa 225 i përkasin administratës së kaluar.
Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe përfundimi i procedurave të privatizimit të banesave, një vendim nga i cili do të përfitojnë 74 familje. Ai parashikon mbylljen e procedurave të privatizimit të apartamenteve për lidhjen e kontratave të shitblerjes para noterit, për pasuritë të cilat kanë mbetur pa u regjistruar pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Këshillit miratoi propozimi për krijimin e Galerisë së Artit bashkëkohor, “Tirana Art Gallery”, pranë zyrave të dekorit të Bashkisë së Tiranës.
Ajo gjithashtu ka projektuar vendosjen e pllakës memorial në kujtim të holokaustit, në shëtitoren pranë parkut të madh të liqenit dhe emërtimin e një shkolle të re në Laprakë me emrin e poetit kombëtar, Gjergj Fishta, i cilësuar si “Homeri i shqiptarëve”.
Miratim morën edhe projektvendimet për “Ristrukturimin e Qendrës Sociale “Të qëndrojmë së bashku”, “Qendrës Komunitare Multidisiplinare për Fëmijët dhe familjet në Nevojë” dhe Qendrës Komunitare për të Moshuarit”, miratimin e strukturave të tyre organizative si dhe rishpërndarjet në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012” dhe “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 71, datë 20.12.2005, “Për kalimin kapital të asetit ‘Pjesë objektit’ të Ndërmarrjes Shërbimeve Mekanike, Rr. ‘Sabaudin Gabrani’ Bashkisë Tiranë si dhe ndryshimin e destinacionit të këtij objekti në qendër sociale ‘Të qëndrojmë së bashku’”.
Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha
Kryebashkiaku Lulzim Basha në nisje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak deklaroi se vendimet që do të merren janë me shumë rëndësi për qytetarët e Tiranës. Basha tha se bashkia ka vënë në dispozicion 409 kredi të buta për strehimin e familjeve në nevojë. “Shtresat në nevojë do mund të përfitojnë kredi të buta. Është një proces i zhvilluar me transparencë të plotë. Këtu përfshihen jetimët, të përndjekurit, romët etj. Të miratojmë 409 kredi të buta për strehim. Përfaqësojnë shtresat në nevojë që përmbushin kushtet sipas ligjeve për të përfituar këto kredi”, tha ai.
Evidentimi i familjeve të pastreha, të cilat përmbushin kushtet për të përfituar kredi të buta, është një proces që vijon. Bashkia e Tiranës, pasi ka paraqitur në Këshill një listë prej 409 familjesh në nevojë, po punon me kërkesat që relatohen nga minibashkitë. Duke qenë se ky proces ka zgjatur, shumë qytetarë të interesuar, i kanë kërkuar kryebashkiakut që të përshpejtoheshin procedurat.
Si rrjedhim projektvendimi për “Trajtimin e familjeve që përfitojnë nga projekti për subvecionimin e interesave të kredisë”, synon sigurimin e kushteve për strehim të familjeve, të cilat kanë të drejtën e marrjes së kredisë për blerjen e banesës, interesat e së cilës do të subvecionohen nga Bashkia e Tiranës.
Basha theksoi se procesi i evidentimit të këtyre familjeve është zhvilluar me transparencë të plotë dhe në konsultim me grupet e interesit. Në shqyrtimin e kërkesave për kredi të buta për herë të parë janë përfshirë përfaqësues të kategorive në nevojë, të cilët kanë qenë pjesë jo vetëm e konsultimit, por edhe e vendimmarrjes.
“Konkretisht, përveç përbërjes klasike të komisionit, në këtë vendimmarrje janë përfshirë dhe përfaqësuesit e shoqatës së qytetarëve me aftësi të kufizuara, jetimëve, përndjekurve politik, komunitetit rom. Janë shqyrtuar në mënyrën më transparente thelbësisht nevojat, kërkesat dhe kriteret që përcakton ligji, para se ti paraqitej për vendimmarrje këshillit lista prej 184 familje për miratim, listë që i bashkëngjitet një liste tjetër prej 225 familjesh të evidentuar sipas ligjit, me procedura të aplikuara nga administrata e mëparshme. Pra në këtë mbledhje do të jemi në gjendje të miratojmë gjithsej 409 kredi të buta për strehim”, tha Basha.
Sipas tij, politika e bashkisë për të mbështetur familjet në nevojë nuk është ezauruar me këtë projektvendim. Drejtoria e strehimit vazhdon të evidentojë kërkesa të tjera, të cilat relatohen nga minibashkitë apo nga takimet me qytetarët. “Shpresojmë që të vijmë sërish në këshill, në një kohë jo të largët, brenda vitit, me një listë tjetër”, tha më tej ai.
Godinat shtetërore, Bashkia në kontakt me qeverinë për ndryshimet ligjore
Rreth 74 familje do të bëhen pronarë të ligjshëm të banesave ku kanë jetuar prej kohësh. Kjo do të mundësohet me miratimin e projektvendimit “për përfundimin e procedurave të privatizimit të banesave, të cilat kanë mbetur pa u regjistruar në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për lidhjen e kontratave para noterit”.
Kryebashkiaku Lulzim Basha tha në mbledhjen e këshillit se marrja e këtij vendimi është i shumë pritur nga qytetarët, pasi ky proces i nisur dy dekada më parë prej 20 vjetësh, nuk ka përfunduar ende për një kategori qytetarësh. “Bëhet fjalë për një numër jo të vogël prej 74 familjesh, të cilat përmes një pagesave simbolike do të bëhen pronarë të ligjshëm të banesave, ku kanë jetuar prej kohësh”, tha Basha, duke theksuar se ky vendim nuk e ezauron të gjithë problematikën e krijuar në këtë drejtim.
Sipas tij, ka një pjesë jo të vogël të komunitetit që mund, duhet dhe do të përfitojë nga përfundimi i procesit të privatizimit i një sërë objektesh që kanë mbetur pa u privatizuar. “Ata nuk janë jashtë vëmendjes tonë, shqetësimet e tyre janë dëgjuar dhe kemi hedhur hapat e parë në kontakt me qeverinë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore apo akteve nënligjore që ne të vijmë sërish para Këshillit me një kategori tjetër qytetarësh, të cilët nuk janë pronarë të banesave ku kanë jetuar prej kohësh”, deklaroi Basha.