Ministri Imami bën mea culpa. Po Gjunkshi, vallë, ka gjë për të thënë?

Xhemal Gjunkshi, Bamir Topi, Sali Berisha dhe Arben Imami
Ministri Imami ka bërë prapakthehu pas letrës së Presidencës. Urdhri i Ministrit të Mbrojtjes për emërimin e Komandantit të Forcave Detare është revokuar, thuhej qysh në fillim të shkresës zyrtare për Sekretarin e Përgjithshëm të Presidencës. Dhe në fund ish premtimi se emërimi tjetër do bëhet në përputhje të Kushtetutës. Në momentin më të parë, pas përfundimit të procedurave të shqyrtimit nga Komisioni i Veçantë i Karrierës, do tju përcjellim kandidatët përkatës për gradim në gradën Kundëradmiral dhe emërimin në detyrë të Komandantit të Forcës Detare. Në po këtë shkresë bëhet dhe shpjegimi i lajthitjes së parë, por ky shpjegim është logjikisht i turbullt, dhe sa për të larë gojën. Sidoqoftë, çështja është kthyer në binarët e procedurës kushtetuese.
Ka dhe një gjë që mbetet e pakuptueshme në këtë histori. Në kulmin e reagimit mediatik pas urdhrit jo kushtetues të ministrit, u fut në lojë si fanti spathi (drejt e nga Washingtoni) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Xhemal Gjunkshi. Dhe bëri një deklaratë të ndërkryer për ti dalë në mbrojtje ministrit e për ti treguar vendin kreut të shtetit, alias Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Emërimin deri në gradën kolonel e bën ministri, foli ai me siguri, duke u përpjekur të interpretojë kuturú kushtetutën (vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që shefi i shtabit të përgjithshëm, një personalitet krejt teknik, ti bëjë interpretime të kushtetutës Komandantit të përgjithshëm).
Po ky i është shpjeguar vallë Presidentit për këtë çalltisje? Apo Presidenti se ka parë të udhës ti kërkojë shpjegim?