E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Çorovoda do të jetë qendër e rëndësishme turistike

21-03-2013 / Gazeta 55

Nisma “Çorovoda, qyteti më i pastër”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka marrë pjesë në shpalljen e nismës “Çorovoda, qyteti më i pastër”.
Në një aktivitet të zhvilluar në pallatin e kulturës të këtij qyteti Meta përshëndeti nismën e Bashkisë së Çorovodës, një nismë e cila sipas tij është shumë kuptimplotë, një nismë shumë e mençur dhe me vizion për të ardhmen e këtij qyteti dhe të gjithë komunitetit, nismën “Çorovoda, qyteti më i pastër”. “Nuk mund të kishte nismë më të bukur dhe më domethënëse për të sotmen dhe për të ardhmen e këtij qyteti dhe të këtij komuniteti”, theksoi Meta.
Duke folur për investimin shumë të rëndësishëm që pritet të përfundojë në muajt në vazhdim, rruga që të çon te kanionet e Osumit, Meta theksoi se kjo rrugë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për shndërrimin e Çorovodës në një qendër të rëndësishme turistike.
Ai theksoi se natyra e ka vendosur Çorovodën në një situatë mjaft të lakmueshme, e rrethuar nga malet, nga kodrat dhe nga lumenjtë e kulluar të maleve të Skraparit.
“Është e rëndësishme që ne t’i përgjigjemi të gjithë kësaj iniciative të Bashkisë së Çorovodës, në mënyrë që Çorovoda të jetë qyteti më i pastër, në mënyrë që Çorovoda të jetë qyteti më i gjelbër, në mënyrë që të realizojë çdo ditë një masterplan që do të transformojë krejtësisht këtë qytet brenda 4-5 viteve të ardhshme për të bërë një nga qytetet më të dëshiruara turistike në vendin tonë, për ta bërë një nga qytetet më mikpritëse, ashtu sikurse është në traditën historike të skraparllinjve. Për ta bërë një nga qytetet më atraktive, në mënyrë që të gjitha këto resurse dhe mundësi të investohen për të mirën e këtij komuniteti, për të ardhmen e fëmijëve tuaj”, theksoi Meta.
Duke përfunduar Lideri i LSI-së tha se “ne të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën që të gjithë djemtë dhe vajzat e mrekullueshëm të këtij vendi kudo që janë të ndihen pjesë e këtij komuniteti dhe të përfshihen duke kontribuar në këtë iniciativë të jashtëzakonshme dhe kuptimplotë. Jam i bindur se Çorovoda do të jetë qyteti më i pastër, jo vetëm në Shqipëri, por do të jetë një shembull kudo, sepse pastërtia buron nga vetë shpirti i skraparllinjve”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›