Ilir Meta përshendet arritjen e Marrëveshjes historike midis Kosovës dhe Serbisë
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përshëndeti sot arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë si një hap të përmasave historike mes dy vendeve.
IlirMeta tha: “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dëshiroj të shpreh vlerësimin tonë për marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën e cilësoj si një hap historik.
Ka qënë një rrugë e dhimbshme e plot sfida për të dy palët, por koha tregoi se përmes vullnetit pozitiv, vizionit për të ardhmen dhe kurajos së jashtëzakonshme që kane treguar drejtuesit e të dy vendeve, e kaluara mund të lihet pas dhe perspektiva e të ardhmes mund të fitojë. Sot është e qartë se bashkëpunimi mes palëve dhe perspektiva e integrimit evropian, prodhojnë rezultate konkrete që prekin jetën e qytetarëve në rajonin tonë..
Sot, ka filluar një epokë e re në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, një kapitull i ri shpresëdhënës mes dy popujve dhe një perspektivë positive stabiliteti dhe paqeje për të gjithë rajonin.
Dua të vlerësoj në mënyrë të veçantë rolin vendimtar të Bashkimit Evropian dhe kontributin e çmuar të Baroneshës Ashton në ndërmjetësimin dhe arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Shpresoj që të gjithë faktorët politike, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, do të tregojnë pjekurinë e nevojshme për ta mbështetur këtë arritje historike, dhe të gjithë së bashku të punojnë për zbatimin në terren të pikave të nënshkruara sot”.