Raporterët e KiE: Zgjedhjet të jenë të lira. Kriza në KQZ nuk zgjidhet prej nesh, nuk jemi arbitër
Pas takimeve që zhvilluan me përfaqësues të politikës shqiptare në Tiranë, raporterët e Asamblesë Parlamentare të KiE-së deklaruan se zgjedhje në Shqipëri duhet të jenë të lira dhe të ndershme.
Në një konferencë për media zyrtarët europianë Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco bënë me dije se pas vëzhgimeve do të bëjnë një raport për cilësinë e zgjedhjeve, i cili do të paraqitet gjatë muajit maj.
“Gjatë takimeve që kemi zhvilluar kemi theksuar shqetësimet tona për aspektet politike. Po ashtu kemi kërkuar sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit. Shqipëria iu nënshtrua procesit monitorues, roli ynë është të vlerësojmë nëse Shqipëria është e aftë të përmbushë standardet në zgjedhje. Të gjitha partitë kanë obligim ndaj popullit që të realizojnë zgjedhje të lira e të ndershme në qershor të këtij viti, thanë raporterët.
Duke iu referuar krizës së krijuar në KQZ, raporterët e KiE theksuan se duhet rikthyer normaliteti në komisionin më të lartë zgjedhor, por shtuan se nuk u takon atyre ta zgjidhin këtë krizë pasi ata janë thjesht raportues, jo arbitër.
Vizita jonë ka koinciduar me një periudhë të trazuar në lidhje me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një organ që ne besojmë se jo vetëm duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm, por ka edhe një rol vendimtar në sigurimin e zgjedhjeve të tilla. Ne nxisim fuqimisht të gjitha partitë politike të bëhen bashkë në mënyrë urgjente dhe të zgjidhin çrregullimin aktual që po ndikon në funksionimin e KQZ-së. Këto zgjedhje janë gjithashtu vendimtare për vlerësimin e nevojës për vazhdimin e procedurës monitoruese të Këshillit të Europës, si dhe për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, tha Evans.
Një ditë më parë raporterët u takuan me Kryeministrin Sali Berisha, nga i cili morën sigurinë se Qeveria shqiptare do të realizojë në Shqipëri zgjedhje konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Më pas ata u takuan me kreun e PS-së, Edi Rama, me të cilin diskutuan rreth zhvillimeve të fundit.
19 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Raporterët e KiE: Zgjedhjet të jenë të lira. Kriza në KQZ nuk zgjidhet prej nesh, nuk jemi arbitër burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email