KQZ mblidhet me 4 anëtarë, Gjonçaj: Jeni kthyer në organ politik. Kosovrasti: Procesi do vazhdojë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi sot mbledhjen e radhës me katër anëtarët e mbetur pas shkarkimit të Ilirian Muhos, i propozuar nga LSI, dorëheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga PS, Denar Biba dhe Albana Shtylla dhe ngrirja e aktivitetit në këtë institucion të përfaqësuesit të PBDNJ, Jani Jani.
Përfaqësuesi ligjor i PS, Genc Gjonçaj tha se ky institucion e ka humbur tashmë legjitimitetin pas mënyrës se si u shkarkua përfaqësuesi i LSI dhe sipas tij tashmë KQZ është kthyer në një organ politik.
Ajo vendimmarrje nuk cenoi vetë anëtarin, por preku legjitimitetin e KQZ dhe të këtij procesi. Tashmë një gjë të tillë e thonë të gjithë partnerët ndërkombëtarë që kujdesen që Shqipëria të largohet nga mentalitetet e komunizmit dhe të marrë rrugën drejt demokracisë europiane. Tri karrige bosh flasin shumë, tregojnë që institucionet janë të kapura nga politika. Sot KQZ është kthyer në një organ politik, tha ai.
Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, deklaroi se duke qenë përfaqësues juridikë, anëtarëve të KQQZ nuk u takon të merren me deklarate politike dhe se nuk u takon atyre të vlerësojnë Kuvendin e Shqipërisë.
Nuk është hera e parë që mungojnë 3 anëtarë. Edhe në 2011 nuk erdhën për tre muaj, donin të sabotonin procesin zgjedhor. Po tentohet ti bëhet presion KQZ, por procesi do vazhdojë. Do bëjmë të gjitha përpjekjet që zgjedhjet të bëhen sa më të mira më 23 qershor, tha Kosovrasti.
Në rendin e ditës të KQZ janë disa pr/vendime si ai “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor të 71 partive politike, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23.06.2013″; si dhe disa pr/vendime që lidhen me regjistrimin e Komiteteve Nismëtare, që do të organizojnë punën për paraqitjen e disa kandidatëve të pavarur, në Fier, Vlorë dhe Tiranë, të propozuar nga zgjedhësit në zgjedhjet e Kuvendit.
19 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
KQZ mblidhet me 4 anëtarë, Gjonçaj: Jeni kthyer në organ politik. Kosovrasti: Procesi do vazhdojë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email