E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta, takim me kreun e Aleancës për Kosovën e re, Bexhet Pacolli


Shqipëria, lobing për njohjen e pavarësisë së Kosovës


Shqipëria nuk do të ndalë përpjekjet e saj, në drejtim të lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo u konfirmua dje, gjatë një takimi që ministri i Jashtëm Ilir Meta, zhvilloi me kryetarin e Partisë Aleanca për Kosovën e Re, Bexhet Pacolli.


Meta vlerësoi misionin EULEX dhe funksionalizimin e tij në respekt të Kushtetutës së Kosovës dhe të Planit të Ahtisarit, ndërsa u shpreh se “besojmë që përmes funksionimit të tij, EULEX do të ndihmojë edhe në përafrimin e standardeve evropiane për sa i takon institucioneve të reja të Kosovës dhe në veçanti, në drejtim të funksionimit të një shteti ligjor, sikurse janë të gjitha vendet e tjera evropiane”.


Optimist për procesin e pandalshëm të zhvillimeve në Kosovë dhe njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të saj, Meta konfirmoi angazhimin për të koordinuar hapat me institucionet e Kosovës dhe faktorë të tjerë për vazhdimin e lobingut.


Duke shprehur bindjen se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin tonë, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta tha se “ne besojmë se procesi i konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës do të vijojë, ashtu sikurse do të vijojnë edhe njohjet e ndërkombëtarëve”.


“Tashmë Kosova është një realitet evropian, një realitet i njohur nga shumica e vendeve anëtare të BE, NATO-s dhe jemi të bindur që lidershipi i Kosovës, gjithë autoritetet e Kosovës, gjithë klasa politike atje, krahas forcimit të shtetit të ri, do të punojnë me shumë angazhim edhe për integrimin evropian dhe euroatlantik”, u shpreh Meta.


Nga ana e tij, Pacolli falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për Kosovën në konsolidimin e shtetit të pavarur e sovran, si dhe të njohjes së saj ndërkombëtare.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›