E Diel, 1 Nëntor 2026

Kancelarja Angela Merkel premton ta ndërtojë kabinetin e ri para përvjetorit të rënies së Murit të Berlinit


Qeveria e re e Angela Merkel e dalë nga zgjedhjet e 27 shtatorit, e përbërë nga Cdu-Csu dhe Liberalët e Fdp-së, mund të jetë gati përpara datës 9 nëntor, dita e përvjetorit të rënies së Murit të Berlinit. “Do të doja të prisja kryetarët e Shteteve të tjera me qeverinë që doli nga zgjedhjet e fundit” - është shprehur për agjensitë e lajmeve Angela Merkel. Zgjedhjet e të dielës për Bundestagun e ri, përcaktuan aleancat e reja të politikës gjermane për katër vitet e ardhshme. Angela Merkel e ka arritur qëllimin e krijimit të një aleance klasike të qendres së djathtë si koalicion i kristian-demokratëve me Liberalët e Fdp të Guido Westerwelle, si një alternativë e partnerëve aktualë të qeverisë. Në katër vitet e qeverisjes së “Koalicionit të Madh”, qeverisja pragmatiste e kancelares gjermane ka drejtuar vendin në dy vitet e para drejt një zhvillimi ekonomik dhe dy vitet e fundit ka ditur të kontrollojë krizën ekonomike financiare duke evituar në maksimum efektet e saj negative në ekonomi dhe në ruajtjen e vendeve të punës. Fushata elektorale ka qenë shumë e kujdesshme dhe pa tone të ekzagjeruara, për faktin se kundërshtarët e drejtpërdrejtë të kësaj fushate kanë qënë për katër vjet edhe aleatët e qeverisë. Merkel ishte përgatitur edhe për alternativën tjetër si zgjidhja e fundit, nëse rezultati i zgjedhjeve do të ishte i ngjashëm me atë të katër viteve më parë. Kuptohet se ishte i mundur edhe një mandat i dytë qeverisës me socialdemokratët e Frank-Walter Steinmeier.


Ndërsa kundërshtari i saj, lideri i Spd-së e konsideron koalicionin e kristian-demokratëve me liberalët si fundin e shtetit social, përgjigja e Cdu-Csu dhe e liberalëve është se nuk kanë asnjë qëllim që të heqin modelin gjerman të ekonomisë sociale të mërkatës, që përkundrazi Merkel mendon se duhet të adoptohet në të gjithë botën, si një model shumë efikas si në stimulimin e rritjes ekonomike dhe në amortizimin e diferencave shoqërore.


Nëse do t’u referohemi zgjedhjeve të fundit politike të 2005-s dhe atyre për Parlamentin Evropian, kuptohet se vetëm partia social-demokrate ka pasur rënie të vazhdueshme që u verifikua edhe në zgjedhjet e 27 shtatorit. Në zgjedhjet politike të 2005-s kemi këto rezultate; Cdu-Csu 36.8%, Spd 36.2%, Fdp 9.9%, Linke 8.8%, dhe Jeshilët 8.3%. Në zgjedhjet e 6-7 qershorit për rinovimin e Parlamentit Evropian, Merkel konsolidoi më shumë avantazhin e saj ndaj Spd-së. Cdu-Csu 37.9%, Spd 20.8%, Fdp 11%, Linke 7.6% dhe Jeshilët 12.1%.


E zgjedhur si gruaja më potente në Botë, për dy vjet radhazi, nga revista prestigjioze “Forbes”, Angela Merkel, ka paraqitur gjatë fushatës elektorale, si objektivin e saj kryesor gjatë qeverisjes së saj në katër vitet e ardhshme, uljen e taksave për të favorizuar ndërmarrjet dhe qytetarët e thjeshtë në mënyrë që të ruajnë forcën blerëse të të ardhurave të çdo familjeje. Njëkohësisht Merkel ka garantuar edhe ruajtjen e nivelit aktual të minimumit të rrogave. Kristian-demokratët së bashku me Liberalët e Sdp-së kanë siguruar 332 vende në parlamentin e rinovuar të Bundestagu-t kundrejt 622 që është numri i përgjithshëm. Social-demokratët e Steinmeier-t, kanë pësuar një katastrofë elektorale, që shënon dhjetë përqind më pak se në zgjedhjet e fundit elektorale të vitit 2005. Pak ditë më parë gazeta e përditshme francese “Le Monde” e konsideronte Steinemeier-n si i dyti i përjetshëm, meqenëse ka pasur vende të dyta në të gjitha funksionet politike dhe qeverisëse. Rënia e konsensusit të social-demokratëve në Gjermani duket se ka favorizuar partitë e tjera të majta, siç janë Linke dhe Jeshilët, të cilët respektivisht arritën të sigurojnë 76 dhe 67 deputetë. Ndoshta, qeverisja për katër vjet radhazi me kristian-demokratët i ka ndëshkuar social-demokratët dhe ka spostuar elektoratin e saj më majtas.


Me zgjedhjet e fundit në Gjermani, kemi zbehjen e simbolit drejtues, që kishte për të gjithë partitë socialiste evropiane, Partia Social Demokrate e Steinmeier-t. Nga këto zgjedhje konsolidohen edhe më shumë spektri i partive të qendrës së djathtë të Evropës edhe pse të gjitha ndërhyrjet që kanë ndërmarrë qeveritë evropiane kanë qënë lëvizje që duhej të favorizonin më shumë partitë që duan shtetin më tepër pronar në sistemin financiar dhe prodhues. Ishte ndërhyrja e shteteve evropiane, ashtu si ajo e SHBA-së, që me fondet e tyre shpëtuan shumë banka nga falimentimi i sigurtë. Në Evropë rrezikonin fundin e Lehman Brothers pothuaj 400 banka, por megjithatë e majta nuk pranohet më sepse kërkon ideoligjizimin e gjithçkaje që bën ose propozon kudo në vendet ku qeverisë ose aspiron.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›