E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët e ndershëm e duan PS-në sa më shpejt në parlament


Jo çdo socialist ka nostalgji për sistemin e “kopaçes”. Shumë prej tyre kanë hyrë tashmë në rrugën kapitaliste. Ata ia kanë ndierë lezetin ekonomisë së tregut. Vetëm mëkatarët e djeshëm nuk i ngushëllon dot paraja e tepërt. Kurse të korruptuarit e duan harmoninë sociale, që të sigurojnë paranë e pistë dhe privilegjet e paligjshme. Shumë socialistë të ndershmit kanë mbetur si peshku pa ujë. Disave që u zuri rrota bishtin, e kanë braktisur dhe kanë votuar për të djathtën. Të tjerë, të pakënaqur, nuk votojnë fare. Militantizmi është alfa e idealizmit socialist. Shumica e socialistëve kanë në shpirt frymën militantiste. Po nuk të votuan në PS militantët, ta ka marrë ferra uratën. Prandaj, Edvin Rama duhet të mos dalë në mejdan, kur gati gjysma e militantëve nuk e kanë votuar. Ç’vota të vjedhura kërkon Rama, kur nuk merr dot ato të militantëve të vet? Duke dashur të kapërcente “Përtej së majtës e së djathtës”, ai ngeci në baltën e “Politikës së tij të ré”. Ndaj njerëzit pyesin veten se ç’kërkojnë socialistët nga një kryetar, që mund t’u garantojë vetëm një humbje tjetër? Mos vallë, të dështuar, u është ringjallur instinkti i vjetër i konfliktit? Se, sa për program të PS-së, ata e panë se gënjeshtra këputi Rama gjatë fushatës së zgjedhjeve të qershorit! Megjithatë, disa kanë mbetur në PS, ngaqë nuk e kapërcejnë dot “ylberin” e së kaluarës së tyre. Disa të tjerë janë mësuar që vetëm të komandohen. Kurse enveristët nuk pranojnë të barazohen para ligjit me kulakët. Disa që ia hodhën diktaturës me servilizma, nuk e lakmojnë lirinë e personalitetit. Ka në PS dhe nga ata që në sistemin e antivlerave u mësuan që të punonte kali e të hante gomari. Pra, shumë socialistë janë rreshtuar me PS-në, ngaqë nuk pajtohen dot me moralin e lartë të së djathtës. Disave nuk u ka dalë endé lepuri nga barku. Disa të tjerëve u mbetur kuisja e ujkut në zemër. Ka tipa që vuajnë nga kompleksi i inferioritet. Ka dhe socialistë që lëngojnë nga sindromi i “dashurisë” për atë që ua ka nxirë jetën. Prandaj e votojnë Ramën, edhe pse ky nuk harton një program zhvillimi; edhe pse i trajton si “spartanë” mitingjesh, apo si hallexhinj, të denjë për t’u mëshiruar. Por, ndonëse Rama i ka psikologjisur, ndonëse i mendon si mercenarë, a të mashtruar, përsëri socialistët po çlirohen nga makthet e asaj ideologjie, që i detyroi ta përfytyronin veten të lumtur duke qënë të mjerë. Ndoshta prandaj, sa më shumë shëndoshet demokracia, aq më tepër po mpaket P.S.-ja. Dhe, sa më tepër forcohet shteti i së drejtës, aq më pak të varur po e ndiejnë veten socialistët nga pasanikët e tyre të korruptuar. Kurse fëmijët e socialistëve që kanë shkuar në Perëndim dhe janë mahnitur me mundësitë e pakufishme që krijon líria, nuk pranojnë që t’i mashtrojë një copë Ramë. As duke u lavdëruar “qoftëlargun”, as duke u glorifikuar sitemin e urisë, të gënjeshtrës e të litarit. Ata duan të marrin familjet e tyre në Europë e në Amerikë, kurse Rama bllokon reformat e domosdoshme duke bojkotuar parlamentin. E përse duhet ta ndjekin këta pas këtë karrierist të paskrupullt? Për mohimin që u bën sakrificave të tranzicionit? Për fantazmagoritë e “Politikës së tij të re”? Apo për nostalgjinë ndaj epokës së konfliktit dhe mohimit të vlerave me shpifje poshtëruese? Përse ta duan taní socialistët e ndershëm kryetarin e rizgjedhur? Pse kërkon të justifikojë humbjen e zgjedhjeve, duke akuzuar se ia vodhën votat, kur nuk po merr dot as të gjitha ato të militantëve të tij fanatíkë? Apo pse po i kërkojnë socialistët e bazës të hapë kutitë dhe të hedhë në tavolinë listat e zgjedhësve të 26 shtatorit, ku, thonë, se figurojnë edhe të vdekur? Atëherë, vërtet, përse ta duan socialistët idealistë Ramën? Pse mbron hajdutët me çizme, që t’i sponsorizojnë fushatat? Apo pse vendos pa pyetur strukturat e partisë për pjesëmarrjen e deputetëve në parlament? Ta duan si liberal, që kërcënon mendimin e kundërt? Apo si vizionar që përdor metodat e “Qoftëlargut” , duke i lidhur njerëzit pas qerres së vet nëpërmjet bashkautorësisë në korrupsion? Që ta lërë rishtas PS-në pa aleatë? Apo që ta bëjë këtë forcë të dyshimtë para miqve ndërkombëtarë? Ta adhurojnë, pra, liderin e tyre si trim i çartur, që i fshihet ballafaqimit me të vërtetën, si në debatet televizive, ashtu dhe në moskandidimin e tij si deputet? Jo! Socialistët e ndershëm nuk janë njerëz që jetojnë me iluzione. Ai që është djegur nga qulli, thotë populli, i fryn dhe kosit. Ka mijra socialistë që e mallkojnë sistemin e votimit me dajak prapa kokës. Janë ndoshta këta që po kërkojnë hyrjen sa më të shpejtë të PS-së në kuvend. Se nuk tallet dot Rama me ata që u zhgënjyen nga një sistem, që i la pa një gëzim dhe që tentoi t’u merrte edhe dinjitetin, madje, edhe jetën! Prandaj fitorja e Ramës është si fitorja e Pirros. Se taní Rama ka për t’i njohur mirë të ndershmit e partisë së tij. Gjithë ata që nuk e mbajnë dot gjatë në krye një avokat të krimit. Një frymëzues të konfliktit. Një progresist që sheh mbrapa. Një liberal që u ka besuar sukseseve të mashtrimit dhe mrekullive të dajakut. Ata që qysh të nesërmen e rizgjedhjes së tij kryetar po i kërkojnë të hapë kutitë e votimit, nuk mund ta lejojnë Ramën të tallet me të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke bllokuar reformat madhore, kusht për liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërísë në BE!...


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›