E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta, takime me Braunin, Klintonin e Solanën në Angli

Kreu i LSI-së lobing në Londër për integrimin e Shqipërisë

Ka nisur dje paradite në Londër punimet Samiti për qeverisjen progresive në drejtimin e kryeministrit të Britanisë, Gordon Braun. Në këtë Samit marrin pjesë kryetarë shtetesh dhe të qeverive nga shumë vende të botës. Në këtë samit merr pjesë si i ftuar edhe lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish-kryeministri Ilir Meta. Gjatë samitit, Meta pati një takim të veçantë me kryeministrin britanik, Gordon Braun. Duke e falënderuar kryeministrin Braun për ftesën e pjesëmarrjes në këtë samit, kryetari i LSI-së, Meta, shprehu vullnetin për të vendosur si prioritete në programin e ardhshëm qeverisës të vendit idetë progresiste të këtij samiti. Ai falënderoi kryeministrin Braun për përkrahjen e madhe që qeveria britanike i ka dhënë Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Meta i konfirmoi kryeministrit Braun vullnetin për arritjen e plotë të standardeve. Ndërsa kryeministri britanik Braun, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e zotit Meta në këtë samit të rëndësishëm botëror. Kryeministri Braun, ashtu si edhe sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband, e uroi për suksesin e madh të Shqipërisë në Samitin e NATO-s në Bukuresht. “Shqipëria ka një kontribut të çmuar për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe ne besojmë se ju do të vazhdoni me përkushtim në këto drejtime si deri tani”, - u shpreh kryeministri britanik Gordon Braun. Mësohet gjithashtu se ish-kryeministri Meta ka pasur disa takime të rëndësishme në nivel të lartë. Ai është takuar me ish-presidentin e SHBA-ve, Bill Klinton, me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solana, me kryeministrin e Australisë, Kevin Rud, kancelarin austriak, Gusenbauer, si dhe me kryeministren e Zelandës së Re, Helen Klark. Në këto takime kreu i LSI-së ka marrë urimet dhe inkurajimet e personaliteteve të shquara për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian. Kreu i LSI-së është ftuar nga kryeministri i Australisë dhe kryeministrja e Zelandës së Re për të respektuar vendet respektive.

7 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›