E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na ndihmoni kundër Kosovës

Beogradi është i vendosur të mbajë zgjedhjet serbe të 11 majit në Kosovë dhe po përpiqet me shumë mënyra për ta arritur një gjë të tillë. Sipas RTK-së, ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiç, deklaroi dje se i ka dërguar një letër shefit të UNMIK-ut, Joakim Ryker, ku i kërkon atij bashkëpunim në organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, në bazë të kompetencave të misionit të OKB-së. Serbët në Serbi do të mbajnë zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në 11 maj, dhe gjatë 9 viteve që Kosova ndodhej nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, proceset elektorale serbe janë mbajtur edhe në zonat me shumicë serbe në Kosovë. Por kësaj here, çështja e organizimit të zgjedhjeve serbe ka marrë një përmasë shumë më të madhe, pasi që nga 17 shkurti Kosova është një shtet i pavarur, i njohur tashmë nga 38 shtete anëtare të OKB-së. Samarxhiç tha se në letrën dërguar Rykerit, qeveria e Beogradit i drejtohet UNMIK-ut me një kërkesë për bashkëpunim për organizimin e zgjedhjeve lokale, duke qenë se UNMIK-u gëzon kompetencat për të mbajtur një proces elektoral, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Lidhur me këtë çështje, shefi i UNMIK-ut tha të premten, se vetëm misioni që ai drejton është i autorizuar të organizojë zgjedhjet në Kosovë. “Zgjedhjet e organizuara nga autoritetet serbe nuk do të jenë të vlefshme”, - tha diplomati gjerman.

Samaraxhiç: “Nuk ka policë serbë në Kosovë”

Nuk ka policë të Ministrisë së Brendshme serbe në Kosovë. Ka qenë kjo përgjigja e ministrit serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiç, si reagim ndaj deklaratës së shefit të UNMIK-ut, Joakim Ryker, lidhur me ekzistencën e strukturave paralele serbe në Kosovë. Samarxhiç tha për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, se Ryker nuk ka asnjë provë për pretendimet e tij dhe se pa prova “nuk ia vlen barra qiranë për të debatuar mbi këtë çështje”. “Ekzistojnë spekulimet se gjatë protestave të 17 marsit në Mitrovicë, në ndërtesën e gjykatës ndodheshin oficerë të Ministrisë së Brendshme serbe. Por kur ndodhën përleshjet dhe protestuesit u nxorën jashtë ndërtesës, u pa se nuk kishte asnjë të tillë. Kjo është prova më e mirë për të hedhur poshtë tezën që sjell Ryker”, - tha Samarxhiç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›