E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dhe Berisha, drekë pune në Kroaci me Presidentin Bush

Presidenti i Republikës dhe kryeministri takohen me Presidentin Xhorxh Bush. Presidenti i SHBA-ve: “Shqipëria dhe Kroacia, më të sigurta”

Shaban Sulçe

Pas Samitit të Bukureshtit, ku u dha ftesa për anëtarësim në NATO për Shqipërinë dhe Kroacinë, Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha janë nisur për një vizitë pune në Kroaci, me ftesë të presidentit Mesiç dhe të Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush. Kryeministri Berisha, presidenti Topi dhe homologët e tyre të Kroacisë dhe Maqedonisë patën një takim me presidentin Bush në zyrat e Këshillit të Ministrave të Kroacisë. Në takimet që pati me presidentin Topi dhe kryeministrin Berisha, presidenti Bush i uroi ata përzemërsisht për marrjen e ftesës për në NATO, ndërsa shprehu kujtimet e pashlyeshme për mikpritjen e madhe që populli shqiptar i bëri atij gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Presidenti Bush
Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh W. Bush ka përshëndetur Kroacinë dhe Shqipërinë për marrjen e ftesës të anëtarësimit në NATO. "Faleminderit Kroaci, faleminderit Shqipëri", - kanë qenë disa nga fjalët përshëndetëse të Bushit për dy popujt më të rinj të anëtarësuar në NATO. “Jam i kënaqur që Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën për anëtarësim në NATO. SHBA-të dhe NATO-ja do të qëndrojnë gjithmonë me ju dhe askush nuk do të lejojë të cenojë lirinë tuaj. Sot, këtu, në breg të Adriatikut, jemi së bashku si njerëz të lirë. Ne jemi të nderuar që ju mirëpresim në NATO, por presim reforma të nevojshme që të bëni përpara në Aleancë", - deklaroi presidenti Bush. Bushi falënderoi dhe Maqedoninë për përpjekjet që ka bërë për anëtarësim në NATO, duke shtuar se "dyert për të janë të hapura sapo të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë".
Presidenti Topi
Pasi falënderoi presidentin Bush dhe presidentin kroat Mesiç për ftesën, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, theksoi se “ne vijmë në Zagreb pas vendimeve shumë të rëndësishme të Samitit të Bukureshtit, për të cilat u jemi mirënjohës vendeve të Aleancës, por në mënyrë të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Bush, të cilët besuan se zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj të rajonit do të sjellë një frymëmarrje të ndryshme edhe për vendet e tjera”. Presidenti Topi theksoi gjithashtu se “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, përveçse është një vlerësim i arritjeve të deritanishme të reformave në gjirin e shoqërisë shqiptare, përbën një platformë politike, ushtarake, ekonomike, sociale të detyrueshme për t’u ndjekur dhe për t’u realizuar, në afatet e duhura jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë global. Ne jemi të ndërgjegjshëm për këto sfida. Unë besoj se do t’i përballojmë ato edhe sepse përkrah nesh ndjejmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet tradicionale me këtë aleat të madh mik janë të shkëlqyera dhe shumë të rëndësishme për popullin shqiptar. Qëndrimi i SHBA-ve ndaj pavarësisë së Kosovës dëshmoi për politikën e drejtë dhe dinamike në interes të qëllimeve largpamëse për një të ardhme në paqe të Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit. Populli shqiptar ju është mirënjohës”, - deklaroi Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Kryeministri Berisha
Ndërkohë, në fjalën e tij, edhe kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen presidentit Bush për kontributin përcaktues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për zhvillimet në Ballkan. Kryeministri Berisha gjithashtu shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të proceduar me reformat e nevojshme për plotësimin e standardeve të kërkuara për anëtarësimin e plotë në NATO në të gjitha aspektet, veçanërisht në atë ushtarak.

7 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›