E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK: Nikoliç erdhi privatisht

I pafuqishëm për të ndaluar veprimtarinë politike të politikanëve serbë në Kosovë, UNMIK-u e ka quajtur fushatën elektorale të radikalëve në Graçanicë një vizitë private të liderit ultranacionalist Tomislav Nikoliç. Ky i fundit së bashku me një grup përfaqësuesish të Partisë Radikale Serbe hapi të premten fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit. “Nikoliç nuk e informoi UNMIK-un lidhur me vizitën e tij. Për sa jemi në dijeni, kjo ishte një vizitë private dhe ai erdhi në Kosovë në këtë kuadër”, - tha dje zëdhënësi i misionit të OKB-së në Kosovë, Sven Lindholm, për të përditshmen kosovare “Koha Ditore”. Në të njëjtën kohë, autoritetet kosovare u shprehën se kjo vizitë e Nikoliçit ishte në juridiksionin e UNMIK-ut, duke ia kaluar kështu përgjegjësinë misionit të OKB-së. “Kosova është një vend ku ka liri lëvizjeje, por jo me qëllimin për të shkatërruar rregullit ligjor dhe kushtetues të Kosovës”, - tha zëvendëskryeministri Harjedin Kuçi. Kur presidenti serb Boris Tadiç vizitoi Kosovën gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve presidenciale të janarit, kryeministri kosovar Hashim Thaçi pati deklaruar se Tadiç do të ishte politikani i fundit që shkelte në Kosovë për të bërë fushatë elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›