E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Suli: “Ja përse dështuam në Pekin”

Autori i Lajmit: red.
Peshëngritësi i madh Ilir Suli, me vendin e pestë në Lojërat Olimpike “Sidnej 2000”, është sportisti shqiptar me rezultatin më të mirë të arritur ndonjëherë në gjashtë përfaqësime olimpike të Shqipërisë. Një arritje që përbën edhe “rekordin kuqezi” në arenën më të madhe botërore, siç konsiderohen olimpiadat, atje ku “piketohen” të gjitha ëndrrat e gjenerata të tëra sportistësh. “E rëndësishme është të marrësh pjesë”, - thuhet zakonisht. Por, për Ilir Sulin, e rëndësishme është të jesh i suksesshëm. Vendi i tretë në stilin e shkëputjes (një bronz), por i pesti në dygarësh, atje dhe ku klasifikohet renditja e përgjithshme e ndahen medaljet. Peshëngritësja e talentuar Romela Begaj, e para femër shqiptare e “hekurave” në Lojërat Olimpike, u rendit e gjashta në dygarësh (e 4-ta në stilin e shkëputjes dhe e 7-ta në atë shtytjes), duke bërë edhe përfaqësimin më të mirë nga 11 sportistët pjesëmarrës në Lojërat e 29-ta Verore. Ilir Suli konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e shtangës shqiptare. Nënkampioni i Mesdheut, Ilir Suli, dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, në “Atlanta 1996” dhe në “Sidnej 2000”, flet rreth përfaqësimit të Shqipërisë në olimpiadën kineze.

Suli, jeni dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, ato “Atlanta 1996” dhe “Sidnej 2000”, duke qenë edhe olimpisti i vetëm shqiptar që keni mundur të renditeni ndër pesë më të mirët në botë, çka përbën edhe rezultatin më të mirë të Shqipërisë në gjashtë pjesëmarrjet olimpike. Sa afër e ndieni atë rezultat?

Në Lojërat Olimpike të Altantës, atëherë 20 vjeç, shkova vetëm me dy javë stërvitje intensive, kjo dhe për shkak të natyrës sime si sportist rebel. Nuk e kam pasur shumë qejf regjimin, por megjithatë ngrita 147 kg në shkëputje dhe 175 kg në peshën 75 kg. Atëherë e kuptova se mund të bëja diçka të rëndësishme në sportin e peshëngritjes.

Pas olimpiadës amerikane shkuat në Greqi, atje ku ishin edhe Piro Dhima, Luan Shabani e të tjerë emra të njohur. Patët ndonjë ofertë nga grekët?

Në Greqi kam shkuar me fillimin e ngjarjeve të vitit 1997 dhe jam rikthyer në Shqipëri në vitin 2000, ku dhe shpërtheva më pas në Lojërat Olimpike të Sidnejit në Australi. Në Greqi u mora me peshëngritje, madje më ofruan edhe të merrja dhe nënshtetësinë greke, por duke e pasur të theksuar atdhetarizmin, natyrisht që zgjodha atdheun tim. Gjithsesi, rrugët i kisha të mbyllura atje, pasi ekipi grek ishte bërë, por as unë nuk kisha shumë dëshirë të garoja për Greqinë. Në të vërtetë, tani pas më shumë se tetë vjetësh edhe gjykoj se, nëse do të më jepej mundësia, edhe mund të përfaqësoja një vend tjetër, por kurrë nuk do të jepja ato rezultate që dhashë për Shqipërinë. Kam dhënë gjithçka për këto rezultate.

Lë të kthehemi te “Sidnej 2000”, njëherësh edhe rezultati më i madh i Shqipërisë në Lojërat Olimpike. Çfarë ju mungoi për të marrë medaljen e parë të Shqipërisë?

Në atë kohë, është për të ardhur keq, por e konsideruan si dështim.

A kishte ndonjë arsye për ta konsideruar si të tillë, kur sot quajmë sukses të madh vendin e gjashtë të kapur nga Romela Begaj?

Në shumë media përpara se të niseshim në Australi u fol për medalje, pasi dhe unë kisha arritur rezultate shumë të larta gjatë fazës përgatitore, madje 5 kg më shumë se rekordi botëror dhe shtangisti që mori medaljen e artë në peshën time. Rekordi botëror ishte 170.5 kg në shkëputje, ndërkohë që unë kisha shkuar edhe 175 kg. Në provën e dytë që u dogja në 167 kg, atëherë nuk e thashë si argument për t u shfajësuar për vendin e pestë, tentova të barazoja rekordin olimpik, por pa mundur ta ngre shtangën. Më pas çdo gjë shkoi ters, pasi nuk e realizova provën e tretë. Shikoni, kinezi që u shpall kampion olimpik e mbaroi garën me 160 kg, kur unë e nisa garën me 162 kg. Në rast se do të ngrija 167 kg do të tentoja rekordin e botës me 171 kg. Edhe trajneri im (Shaqiri) ka pak përgjegjësi.

A keni garuar kundër ndonjë shqiptari tjetër në Olimpiada?

Po, kundër Viktor Mitros në “Sidnej 2000”, por ai mbante fanellën e Greqisë. Ai doli nënkampion atje, duke ngritur 165 kg në shkëputje dhe 202 kg në shtytje. Për sa i përket Piro Dhimës shumë specialistë kanë thënë se unë mund ta mundja atë. Por, do të ishte kundër moralit tim ta pohoja unë vetë këtë gjë, përderisa edhe nuk kemi garuar kundër njëri-tjetrit. Një fakt është se Piro në “Athinë 2004”, ka marrë medalje (bronzi) me 2.5 kg më pak se ajo që kam arritur unë në rekordin tim personal në dygarësh. I atij është 175 kg e 202 kg, ndërkohë që rekordi im, njëherësh edhe kombëtar është 175 kg e 205 kg.

Shqipëria u përfaqësua me 11 sportistë në Pekin, numri më i madh, ku peshëngritja kishte dhe numrin më të madh me tre të tillë. Një vend i 13-të nga Qerimaj, mjafton për ta quajtur sukses?

Peshëngritja gjithmonë ka dhënë rezultate të mira, duke filluar me Ymer Pampurin (Munih 1972). Në Barcelonë ka qënë Dedë Dekaj, Sokol Bishanaku e Fatmir Bushi. Në “Athinë 2004” edhe dy vëllezërit Trasha (Gerti e Theoharis) bënë diçka. Erkandi u tregua një sportist i madh. I qetë, i ngriti peshat normalisht, bëri një garë shumë të pastër dhe me një teknikë të pastër. Pesë prova të realizuara i arrijnë vetëm sportistët cilësorë. Nuk mendoj se ky është maksimumi i Qerimajt, mund të ngrinte edhe 5kg më shumë. Gerti Trasha bëri gabimin fatal. Mund ta fillonte me 127 kg, dhe jo me 136 kg ku dhe dështoi tri herë. Më vjen keq se ai është djalë shumë i mirë, por reflektoi disi edhe defektet që ka pasur me mënyrën e të punuarit në të shkuarën. Faj ka pasur edhe trajneri Çela, mund të kishte vepruar më me zgjuarsi. Për mua ai ka bërë faje dhe jo gabime.

Romela Begaj, e para femër në Lojërat Olimpike dhe kap rezultatin më të mirë të Shqipërisë në Pekin...

Romela është një talent i pastër. Ka ardhur nga cirku dhe nuk duhet të harrojmë se në Lojërat Mesdhetare të Almerias me vetëm tre muaj sport, dhe më gjithë gabimet e mëdha në teknikë dhe e stërvitur nga një trajner i dështuar si Faruk Kalleshi, arriti të fitojë medaljen e bronzit, falë punës dhe talentit të saj. Trajneri i saj aktual, Hektor Shaqiri, ka punuar vërtet shumë me të dhe e çoi te suksesi. Megjithatë, dua të them, se në garën e Romelës 12 veta ishin, dhe femrat janë në olimpiadën e tretë që marrin pjesë. I duhet shumë punë për të fituar medalje katër vjet më pas në Londër. Në Kampionatin Evropian në Itali, Romela i kishte të gjitha mundësitë të fitonte medaljen e artë. Të tjerët, për mendimin tim, me përjashtim edhe të mundësit Elis Guri, e për ndonjë arsye objektive edhe të Said Prizrenit, të tjerët dështuan.
Ky lajm është publikuar: 26/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›