E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashton maturantët mbetës në një nga katër provimet e Maturës

Autori i Lajmit: red.
Maturantët që konstatojnë pasaktësi në Librin e Transparencës duhet të plotësojnë formularin e korrigjimeve, i cili është shpërndarë në formë elektronike bashkë me të. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, në një njoftim për shtyp, sqaron se ky formular plotësohet vetëm prej maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës. Drejtoritë arsimore dhe zyrat rajonale në vend prej disa ditësh kanë tërhequr Librin e Transparencës, i cili është bërë tashmë element përbërës i Maturës Shtetërore. “Ashtu sikurse vitin e kaluar mësimor, edhe këtë vit, Libri i Transparencës plotëson kuadrin e informimit të saktë dhe të drejtë të maturantëve dhe publikut, i cili përshkon gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe të pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IAL)", - thuhet në njoftimin për shtyp. MASH sqaron se në Librin e Transparencës çdo kandidat maturant gjen të gjitha elementet përbërëse të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, të provimeve me zgjedhje, preferencat e përzgjedhura prej tij për programet e studimit (degët), që ofrojnë IAL-të për vitin akademik 2008-2009. Mbi bazën e këtyre elementeve, në libër janë dhënë dhe pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficientëve të përcaktuar nga IAL-të. Këtë vit, Libri i Transparencës botohet për secilin qark me të dhënat e kandidatëve maturantë të shkollave të çdo rrethi. Në Librin e Transparencës nuk përfshihen maturantët që rezultojnë mbetës në një nga katër provimet e Maturës Shtetërore. Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili mund të kontestojë për ndonjë pasaktësi në të dhënat që shikon, por për çdo ndryshim, kërkohet dokumentim zyrtar nga Drejtoritë Arsimore të rretheve.
Ky lajm është publikuar: 26/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›