E Diel, 1 Nëntor 2026

Shterrojnë rezervat e gjakut, jeta e talasemikëve në rrezik

Autori i Lajmit: red.
Ministria e Shëndetësisë ngre shqetësimin për mungesën e rezervave të gjakut për pacientët me sëmundje kronike. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, në një prononcim për median, bëri apel për dhurim falas të gjakut, pasi rezervat e gjakut janë përgjysmuar. Sipas Ministrisë së Shendetësisë, dhurimi vullnetar i gjakut shihet si e vetmja mundësi për t u ardhur në ndihmë të sëmurëve kronikë. Zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, në një pornoncim për mediat, tha dje se, ndërsa në urgjencë situata mund të përballohet, në rastet e sëmundjeve kronike si talasemia, kjo është mjaft e vështirë. Madje, mungesa e gjakut, sipas tij, ka reduktuar deri në përgjysmim transfuzionet e gjakut për këtë kategori të sëmurësh. Zv.ministri bëri të ditur se dhurimi vullnetar mbetet e vetmja zgjidhje, pasi importimi i gjakut, nuk është arritur të realizohet nga asnjë vend i rajonit apo më gjerë. Në përpjekje për të sensibilizuar qytetarët për dhurimin vullnetar të gjakut, një grup punonjësish të dikasterit të shëndetësisë me në krye zv.ministrin Ivanaj kanë dhuruar gjak në ambientet e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Një nismë e tillë do të realizohet edhe në institucione të tjera publike në ditët në vijim. Sipas burimeve nga MSH-ja, duke iu referuar situatës aktuale, në 10-ditëshin e fundit të gushtit, pacientët me sëmundje kronike, kanë marrë 2 herë më pak gjak, sesa ishte parashikuar të merrnin, sepse stoku aktual në spitale dhe në bankat e gjakut është pakësuar. “Kurba e dhurimeve vullnetare gjatë verës bie. Gjaku që dhurohet shkon në destinacion dhe mirëpërdoret në klinikat dhe pavijonet e spitaleve. Është shumë e rëndësishme që të mirëkuptohet mesazhi që burimi i vetëm i dhurimit të gjakut të jetë njeriu", - theksoi Ivanaj në mesazhin e tij. Më tej ai theksoi se MSH ka një strategji kombëtare të transfuzionit të gjakut, e hartuar në vitin 2006, e cila në thelbin e saj parashikon zëvendësimin e dhuruesve të paguar me dhurues vullnetarë.
Ky lajm është publikuar: 26/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›