Shqipëria fiton testin me Lihteshtejnin

Shqipëria fitoi 2-0 testin miqësor kundër Lihteshtejnit – gola të Hykës e Kapllanit -në ndeshjen e parë historike midis tyre, por dhe në premierën e trajnerit holandez Ari Han në kryeqytetin shqiptar. Një pjesë e parë shumë më e mirë, ndërsa në fraksionin e dytë, portreti i Hanit nuk u pa dhe aq shumë entuziast.
Jahmir Hyka shënoi golin më të shpejtë në historinë ndërkombëtare të futbollit shqiptar, kur mesfushori i Mainc 05 në Bundesliga 2 realizoi pa kaluar ende minuta e parë, në sekondën e 46-të, në miqësoren kundër Lihteshtejnit.
Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, lëshoi një top në drejtim të Edmond Kapllanit, golashënuesi më i mirë i eliminatoreve Euro 2008, veproi me zgjuarsi duke harkuar te Hyka i pamarkuar, i cili brenda zonës lihteshtejnase goditi fuqishëm duke shënuar jo vetëm golin e parë të takimit, por dhe të parin e tij me fanellën e përfaqësues.
Shqipëria dominoi plotësisht takimin dhe në të 18', Armend Dallku, mbrojtësi që luan në Ukrainë me Krivbasin, i ndodhur brenda zonës harkoi saktësisht në zonën e vogël, atje ku Edomond Kapllani nuk fali me kokë, duke dyfishuar rezultatin. Goli i 6-të i sulmuesit të Karlsruhes. Një gol dhe një asist i Kapllanit. Shumë bukur. Me këto hapa, duket se Kapllani shumë shpejt do të kalojë edhe Erion Bogdanin, golashënuesin e dytë më të mirë aktiv në përfaqësuese: 8 gola.
Lihteshtejni ngacmoi disa herë portën tonë, por Arjan Beqaj, portieri më i mirë i kampionatit qipriot me Anorthosis Famagusta dhe heroi i fitores 3-0 të ekipit të tij kundër Olimpiakosit të Greqisë, nuk mund të lejonte prekjen e portës. Në një aksionet më të rrezikshme të miqve (26'), Curri u bë shpëtimtari i katërkëndorit tonë, duke e devijuar me kokë topin në goditje këndi.
Hyka ishte në një ditë të jashtëzakonshme, madje në fraksionin e pjesës së parë fitoi më shumë se pesë faulle në thellësi të sulmit tonë.
Takimi kishte ngjyra krejtësisht sulmuese për përfaqësuesen tonë, ku mund të kishim edhe ndonjë gol tjetër në 45 minutat e para, por egoizmi i lojtarëve për të realizuar secili golin e tij në këtë takim ndikoi jo pak.
Në pjesën e dytë trajneri Han nisi serialin e zëvendësimeve, duke filluar me Altin Lalën (shiritin e kapitenit e mori Lorik Cana), e duke vazhduar me Skelën, ashtu edhe sic kishte pohuar në konferencën për shtyp. Futja e Vangjelit rikompozoi modulin, pasi fillimisht Kristi Vangjeli luajti në të djathtë, por me futjen e Lilës, mbrojtësi doli në të majtë.
Në minutën e 56-të Duro u pengua në zonë por gjyqtari sllovak nuk akordoi penallti. Trajneri Han hodhi në fushë sulmuesin e SV Ried, Hamdi Salihi në vend të Kapllanit, i cili largohet nga fusha i duartrokitur nxehtësisht. Edhe mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila pati minutat e veta, duke dëshmuar një formë të mirë. Edhe Lorik Cana pas një pasi të bukur të Currit goditi nga larg si për të kujtuar zakonin e tij te Marseja. Pas veprimit të bukur, Curri ia lë vendin një tjetër futbollisti që luan në Ukrainë, Sokol Bulkut të Kribvasit. Edhe zëvendësuesi Elis Bakaj dha dicka nga repertori i tij.Në minutën e 85-të, Beqaj u bë shpëtimtar i portës sonë, duke e mbajtur të pastër. Fundi pati dhe nota nervozizmi, kur ndaj Vangjelit u shkaktua një faull i rëndë nga ana e një lojtari nga Lihteshtejni. Beqaj shmangu një gol të sigurt në minutën e 91-të, kur Lihteshtejni kapi në befasi mbrojtjen tonë, por portieri i Anorthosis e devijoi topin në goditje këndi, por sekonns
Përfundimisht, një ndeshje mesatare e përfaqësueses sonë, që duhet të punojë shumë për të korrigjuar ritmin e lojës për të bërë një prezantim më të mirë kundër Suedisë, më 6 shtator në Tiranë.
MIQËSORE
SHQIPËRI-LIHTENSHTEJN 2-0
Shënues: Hyka 1' Kapllani 18'
E mërkurë, 20 gusht 2008, ora 20:45
Stadiumi Kombëtar "Qemal Stafa", Tiranë
SHQIPËRIA: Beqaj, Curri (66' Bulku), Dallku, Cana, Agolli (55' Lila), Teli, Skela (46‘ Bakaj), Lala (46' Vangjeli), Duro, Hyka, Kapllani (56' Salihi). Trajner: Ari Han
Lojtare te paperdorur: Isli Hidi, Endri Vrapi
LIHTENSHTEJNI: Jehle, Oehri (45' Beki), D'Elia, Burgmeier, Ritzberger, Stoklasa, Biderman (62' Hasler), Gerste (46' Kirsten), M.Byhel., R.Byhejl, Rohrer (72' Franc Jozef). Trajner: Hans-Peter Zaug.
Kartonë të verdhë: Dallu, Duro / Ritzbertrg (L)
Gjyqtarë: Vik Merio, Tomas Mokos, Milan Paulasak (Sllovaki)