E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Integrimi në BE, prioriteti më i madh

TIRANË Para se të largohej nga Nju Jorku, ku mori pjesë në sesionin e 66 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Sali Berisha dha një intervistë edhe për CNN International. Ai iu përgjigj interesimit të këtij rrjeti televiziv lidhur me krizën ekonomike në Europë dhe aspiratës së fortë të Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së. “Unë mbetem i fokusuar dhe integrimi në Bashkimin Europian është dhe do të mbetet projekti i prioritetit më të lartë i vendit tim. Ne do të bëjmë më të mirën për të arritur çfarë kërkohet: standarde, norma, praktika, për ta merituar atë. Unë e konsideroj një proçes plotësisht të bazuar në meritë”, - tha Berisha. I pyetur mbi faktin se përse Shqipëria do të donte të ishte pjesë e një hapësire ekonomike, që aktualisht është në një fazë të rrezikshme, Berisha u përgjigj: “Është e vërtetë që është një krizë serioze, por kam besimin e thellë se kombet europiane kanë të gjithë potencialet për ta kaluar atë dhe Shqipëria nuk ka asnjë arsye për të ngadalësuar përpjekjet e saj për integrimin europian, për shkak të kësaj krize. Unë besoj se Euro, pavarësisht vështirësive momentale, do të vazhdojë dhe do të mbahet ndoshta si një nga trashëgimitë më të mira të Europës, të të gjitha kohërave”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›