Imami: Mbikëqyrja parlamentare - jo si “kontrollet punëtore”

Ministria e Mbrojtjes mirëpriti korrigjimin e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Ilir Gjoni se nuk ka “trafik armësh”
Ministria e Mbrojtjes deklaroi dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, “Ministri Imami mirëpret korrigjimin që deputeti Ilir Gjoni i bëri sot kryetarit të tij duke u tërhequr nga akuzat për trafik armësh në atë për tregti armësh, nëse kjo e fundit mund të konsiderohet akuzë. Gjoni foli për dyshime, të cilat do të marrin shpjegimet përkatëse në seancën dëgjimore të kërkuar nga komisioni i Sigurinë Kombëtare me Ministrin e Mbrojtjes javën e ardhshme”.
Kësisoj Ministria e Mbrojtjes konfirmoi edhe një herë se është e gatshme t’u përgjigjet procedurave të dëgjimit, të hetimi dhe kontrollit parlamentar. Po ashtu dyshimet e opozitës për tregti armësh nga elementë të caktuar të këtij dikasteri do të marrin shpjegimet përkatëse në një seancës dëgjimore të ministrit Arben Imami me komisionin parlamentar të Sigurisë, me datë 16 korrik, ku Imami do të jetë në dispozicion të Komisionit për t’ju përgjigjur pyetjeve. Dhe sidomos akuzave të pafre të opozitës, e cila kohët e fundit është investuar në një fushatë të paprecedentë.
Ndër të tjera Ministria e Mbrojtjes në interes kombëtar i bën thirrje opozitës do të tregohet e matur dhe jo të akuzojë qesim. Prandaj Ministri Imami thotë se, “I bëjmë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste dhe ndihmësve të tij të kenë durimin dhe qetësinë për të dëgjuar me vëmendje shpjegimet që do të japë Ministri i Mbrojtjes. Njëkohësisht, ndjehemi të detyruar të sqarojmë për të disatën herë se mbikëqyrja parlamentare nuk përputhet me ‘kontrollet punëtore’ që rëndom organizoheshin një herë e një kohë. I kujtojmë Ilir Gjonit në veçanti se ‘Revolucioni i Madh Kinez’ ka mbaruar”.
Në përfundim të deklaratës për shtyp i kërkohet lidershipi të opozitës të demonstrojë qytetari dhe përgjegjshmëri.
“Po ashtu, Kryetari i Partisë Socialiste është i lutur të ndikojë sipas mundësive në përmirësimin e fjalorit dhe etikës së komunikimit publik të vartësve të tjerë”, mbyllet komunikimi i dikasterit të Mbrojtjes.