Imami: “Ministria po harton ndryshime në ligjin për gradat e ushtarakëve”
Eljona Ballhysa
Ministria e Mbrojtjes po punon për të hartuar ndryshime në ligjin për gradat e ushtarakëve. Lajmi është bërë i ditur dje nga vetë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë komision, ministri Imami bëri të ditur prioritetet e Ministrisë së tij. Sipas ministrit, kryesor është ndryshimi i ligjit për gradat e ushtarakëve, hartimi i statusit të ushtarakëve, si dhe arsimimi i tyre. Sipas ministrit Imami, këto nevojat lindin për shkak se Ushtria shqiptare është kthyer në një ushtri të vogël dhe profesioniste, duke iu përshtatur kërkesave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, ku bën pjesë vendi ynë.
Deklarata
“Në një kohë kur sistemet e armatimit dhe të teknologjisë rrezikojnë të dalin shpejt jashtë përdorimit për shumë shkaqe, ku edhe avancimi teknologjik konsiderohet si njëri nga më të rëndësishmit, mendojmë se përqendrimi i përpjekjeve te fuqia njerëzore është njëra prej alternativave më të sigurta”, – bëri të ditur dje në Komision ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Duke shprehur vlerësim maksimal për bashkëpunimin me Komisionin për Sigurinë Kombëtare, Imami nënvizoi se puna e Ministrisë së Mbrojtjes është përqendruar në tri drejtime kryesore, që konsistojnë në: hartimin e strategjisë kombëtare për arsimimin e ushtarakëve, përmirësimin e ligjit të gradave dhe karrierës ushtarake, si dhe hartimin e statusit të ushtarakut. “Të gjitha këto synojnë që krahas përthithjes në radhët e Forcave të Armatosura të kapaciteteve më të mira, të minimizojnë edhe braktisjen e ushtrisë nga kapacitetet ekzistuese”, - është shprehur Imami. Ai theksoi se “Ministria do të synojë të rekrutojë grupe të rinjsh dhe të rejash në kulmin e moshës së tyre për të shërbyer si ushtarë, nënoficerë etj. Më pas ne kërkojmë prej tyre që të kryejnë detyra shumë të vështira, të jenë të gatshëm për veprime luftarake, brenda dhe jashtë vendit, kudo ku kërkohet shërbimi i tyre”, - vijoi kreu i Mbrojtjes. Një tjetër temë në të cilën ministri i Mbrojtjes u ndal gjatë raportimit të tij në Komisionin për Sigurinë Kombëtare ishte edhe Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) dhe bashkëveprimi i kësaj strukture me institucionet e tjera shtetërore, që kanë interesa në det. Deputetët vlerësuan punën e bërë nga kjo qendër në bashkëpunim me institucionet e tjera, si dhe rezultatet mjaft premtuese në luftën kundër krimit dhe trafiqeve në det.
Ligji për gradat e ushtarakëve është hartuar dhe miratuar në vitin 2000 duke mos marrë parasysh ndryshimet që lindin për shkak të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Ushtria shqiptare është kthyer në një ushtri profesioniste me pagesë, që do të thotë se të gjithë ushtarët marrin pagë mujore. Të gjitha këto ndryshime dhe të tjera nuk janë përfshirë në ligjin për gradat, ndaj pritet shumë shpejt që ndryshimet që do të pësojë ky ligj të dërgohen në qeveri dhe më pas në Parlament. Së pari pritet të ndryshojë neni 5 i ligjit aktual, ku parashikohet në një ndër pikat e tij se “ushtar i Forcave të Armatosura është shtetasi shqiptar që kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv sipas ligjit”. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk ka shërbim të detyruar ushtarak.
Zbardhen përfitimet e ushtarakëve dhe të civilëve me shërbim në NATO
Dje ka hyrë në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave për përfitimet e civilëve që shërbejnë në misionet ushtarake. Në bazë të vendimit që është botuar në Fletoren Zyrtare, punonjësit civilë të Ministrisë së Mbrojtjes do të kenë të njëjtat përfitime si ushtarakët që janë nëpër misione ushtarake. Me anë të një vendimi të posaçëm, qeveria vendosi që edhe punonjësit civilë që janë emëruar me detyrë në misionet ushtarake pranë forcave të NATO-s të kenë të njëjtat përfitime siç kanë edhe ushtarakët që janë pranë këtyre organizmave.
Hapja e selisë së përhershme në NATO pritet t’i kushtojë shtetit shqiptar të paktën 480 mijë euro në vit. Qeveria mori vitin e kaluar vendimin për hapjen e përfaqësisë së përhershme të Republikës së Shqipërisë pranë selisë së NATO-s në Bruksel, duke shtuar edhe numrin e punonjësve në këtë përfaqësi. Në vendimin e saj qeveria ka përcaktuar numrin ushtarakëve dhe gradat e tyre. Gjithsej do të jenë 13 ushtarakë dhe punonjës civilë që do të punojnë në selinë tonë të NATO-s në Bruksel. “Në përfaqësinë e përhershme të Republikës së Shqipërisë funksionon përfaqësia ushtarake, e cila përbëhet nga: përfaqësues ushtarakë në NATO, gjeneralmajor; zëvendës/përfaqësues kolonel; oficer shtabi për inteligjencën, nënkolonel; oficer shtabi për operacionet e stërvitjen, nënkolonel; oficer shtabi për logjistikën, nënkolonel; oficer shtabi për planifikimin, nënkolonel; oficer shtabi për komunikim/standardizim, nënkolonel; oficer shtabi për komitetet politiko-ushtarake të NATO-s dhe koordinimin me BE-në, nënkolonel; oficer shtabi për mbrojtjen ajrore, nënkolonel; specialist për administrimin/ financë/protokoll, major, nënoficer për administrimin/ sekretar/operator, kapter; nënoficer për regjistrin, rrjetin e klasifikuar, kapter; shofer/adjutant”, - thuhet në vendimin paraardhës të qeverisë.
Në vendimin e mëparshëm qeveria përcaktoi formulën mbi të cilën do të bazoheshin specialistët për të përllogaritur pagat e ushtarakëve. Pas vendimit të djeshëm, me të njëjtën formulë do të bëhet dhe përllogaritja për punonjësit civilë të emëruar në këto organizma nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas vendimit që u mor në vitin 2009: Ushtarakët shqiptarë, për kohën që shërbejnë në përfaqësinë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në shtabet e NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, trajtohen me pagë për gradë dhe shtesë për përfaqësim. Paga e atasheut ushtarak nuk mund të jetë më e lartë se ajo e ministrit. Në rastet kur ministri ³ Mbrojtjes, në marrëveshje me ministrin e Punëve të Jashtme, për shkak të ngarkesës së punës, emëron edhe një ndihmës të atasheut ushtarak, ky trajtohet jo më shumë se grada diplomatike e këshilltarit të përfaqësisë diplomatike. Edhe për punonjësit civilë, pasi të bëhet njehsimi i postit që kanë me gradën, do të bëhet përllogaritja për përfitimet.
Ushtaraku përfiton edhe kompensim për koston e jetesës si më poshtë:
300 euro/USD për vendet e grupit të parë;
260 euro/USD për vendet e grupit të dytë;
230 euro/USD për vendet e grupit të tretë;
200 euro/USD për vendet e grupit të katërt;
150 euro/USD për vendet e grupit të pestë.
21 Prill 2010