E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Kosova duhet të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni. Presidenti Topi vlerësoi maturinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në kapërcimin e sfidave të ndryshme, konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, si dhe arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare, sidomos përsa i përket rritjes së numrit të njohjeve ndërkombëtare nga sa më shumë shtete. Në vijim të bisedës me ministrin e Jashtëm Hyseni, presidenti Topi vuri në dukje se “përkushtimi i dy vendeve tona ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike përbën një platformë të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona”. Në këtë kuadër, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi “sidomos bashkëpunimin parlamentar, që është tepër jetik, veçanërisht atë mes komisioneve të ndryshme ligjore për të bërë të mundur sinkronizimin dhe harmonizimin e legjislaturës, me synim edhe përafrimin me legjislacionin europian”. Të dyja personalitetet e larta ndanë të njëjtin mendim përsa i përket orientimit të qartë dhe së ardhmes së sigurt euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit pa përjashtim të bazuar mbi një bashkëpunim të frytshëm e konstruktiv. Gjithashtu, presidenti Topi inkurajoi përpjekjen e qeverisë së Kosovës duke shprehur vullnetin se “Shqipëria mbështet fuqimisht të gjitha përpjekjet e institucioneve kosovare për të realizuar reformat e nevojshme që do t’i mundësonin Kosovës t’i bashkohet pjesës tjetër të rajonit në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst i bashkohemi mendimit se edhe Kosova duhet të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave, në mënyrë që në Ballkan të mos mbeten ‘njolla leopardi’ përsa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve”, – theksoi më tej presidenti Topi.

Berisha-Hyseni: “Shqipëria dhe Kosova të lidhen me hekurudhë”

Kryeministri Sali Berisha tha gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, se është e rëndësishme që të dyja vendet të ndërmarrin hapat për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e linjës hekurudhore midis dy vendeve. Duke vlerësuar arritjet e mëdha të Kosovës, kryeministri Berisha theksoi se Kosova është shndërruar tashmë dhe po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një faktor thelbësor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Ministri Hyseni e informoi kryeministrin Berisha për fillimin e punimeve për pjesën e rrugës së kombit që kalon në Kosovë dhe e falënderoi edhe një herë për kontributin e tij për realizimin e veprës madhore të kombit, rrugës “Durrës-Kukës-Morinë”. Në takim u diskutua për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer e të gjithanshëm mes të dyja vendeve në të gjitha fushat.

Topalli-Hyseni: “Kosova dhe Shqipëria, integrim në BE”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni. Gjatë këtij takimi dy politikanët vunë theksin se e ardhmja e dy vendeve është integrimi në BE. “Vendet e rajonit duhet të shohin nga e ardhmja. E ardhmja e sigurt e Shqipërisë, Kosovës dhe e vendeve të Ballkanit është në BE”, - tha kryetarja e Kuvendit. Ata vlerësuan nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e pjesës kosovare të Rrugës së Kombit, arteries që do të lidhë edhe më shumë politikisht dhe ekonomikisht jo vetëm dy vendet, por gjithë zonën ballkanike e më tej. Si kryetarja e Kuvendit, ashtu edhe ministri Hyseni u shprehën optimistë që në të ardhmen, vende të tjera të reja, shumë shpejt do të shtohen në numrin dhe vargun e gjatë të shteteve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

21 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›