E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkimet nga hidrocentralet, mblidhet menjëherë Shtabi i Emergjencave



Ervin KOÇI

Komiteti i Emergjencave Civile është mbledhur dje urgjent për të zhvilluar një mbledhje mbi situatën hidrike në vend. Ky Komitet është mbledhur menjëherë sapo janë dhënë shenjat e para të përkeqësimit të situatës nisur nga prurjet e shumta që janë shkarkuar nga kaskada e Drinit. Ministria e Ekonomisë, informoi dje se rreziku nga përmbytjet është evident në disa zona të veriut të vendit, në situatën kur hidrocentralet në kaskadën e Drinit paraqiten të tejmbushura me ujë. Sipas raportimeve, reshjet e shirave të vazhdueshme kanë rritur me 10 cm nivelin e ujit në hidrocentralin e Fierzës, ku dje paradite niveli i ujit ishte 296.57 m, nga 296 metër që është kufiri maksimal, ndërsa një ditë më parë niveli i ujit ishte 296.48 cm. Mësohet se, prurjet janë rritur me 1260 m kub për sekondë, ndërsa shkarkimet janë 700 metër kub për sekondë. Më herët në mbledhjen e sekretariatit teknik për shkarkimet e plota në kaskadën e Drinit, drejtori i KESH-it, Muharem Stojku, tha se shkarkimet do të vazhdojnë. "Kjo situatë do vazhdojë në këto kuota dhe nivele, pasi shikohet që kuotat në Liqenin e Komanit dhe Vaut të Dejës janë drejt rënies",- bëri të ditur Stojku.

Përgatitja për evakuimin
Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, e cilëson të rënduar situatën në kaskadën e Drinit. Ai mblodhi komitetin ndërministror të emergjencës civile, ku bëri të njohur se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur dyfishim të prurjeve dhe për pasojë edhe të shkarkimeve. "Shkarkimi total është 2060 m3/sekondë. Bëhet fjalë për një dyfishim të shkarkimit në 24 orët e fundit si rezultat i një dyfishimi të prurjeve, situatë shumë dinamike kjo që vazhdon të karakterizohet nga prurjet e mëdha në të tre liqenet, dhe nga gjithë basenet ujëmbledhëse që ushqejnë këto liqene",- deklaroi Basha. Të dhënat më të fundit flasin për bllokimin e dy fshatrave, Obot dhe Ashtë, dhe për përmbytjen e rreth 1300 hektarëve tokë. Megjithatë autoritetet kanë marr masat e nevojshme për të evakuuar banorët e zonave që janë të rrezikuara. Por rreziku i përmbytjeve duket se nuk janë vetëm shkarkimet nga liqenet në kaskadën e Drinit, por dhe mungesa e argjinaturave dhe ndërtimet pa leje.

Ujërat mbulojnë rrugët
Ujërat e shkarkuara nga HEC-i i Vaut të Dejës rritën në mënyrë të shpejtë nivelin e Drinit i cili doli nga shtrati dhe nisi vërshimin nëpër fushat që ende nuk ishin kulluar nga përmbytjet e dy muajve më parë. Dita e djeshme e gjeti të mbuluar me ujë rrugën nacionale Shkodër -Velipojë në vendin e quajtur Harku i Berdicës. Ndërkohë qindra hektarë tokë në këtë komunë janë mbuluar nga prurjet e lumit Drin. Shkarkimet që po bëhen nga hidrocentralet i kanë dhënë pamjen e një liqeni të madh fushave, që brenda tre muajve janë përmbytur tre here. Uji që ka mbuluar tokat bujqësore ka nisur të futet në banesa dhe qindra shtëpi janë në prezence uji. Për banorët e zonës kjo është një situatë ankthi e pasigurie. Dy përmbytjet e para në zonën e Nën-Shkodrës dhe lagjet periferike përmbytën mbi 16 mijë ha tokë dhe mbi 4 mijë banesa duke shkaktuar një dëm prej rreth 4 milionë eurosh.

Situata në HEC-e
Ministria e Ekonomisë ka pasqyruar dje situatën e fundit në tre hidrocentralet e vendit. Sipas METE-s, niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës arriti shifrën 296.63 metër ndërsa prurjet në këtë hidrocentral arrijnë shifrën e 1160 metër kub në sekondë dhe shkarkimet arrijnë në 710 metër kub në sekondë. Ndërsa niveli i ujit në hidrocentralin e Komanit ka arritur në shifrën 173.9 metra, ndërsa prurjet arrijnë shifrën e 282 metra kub në sekondë dhe shkarkimet arrijnë në 900 metra kub në sekondë. Gjithashtu niveli i ujit në hidrocentralin e Vaut të Dejës arrin në 75.68 metër, ndërsa prurjet janë 200 metra kub në sekondë dhe shkarkimet arrijnë shifrën 1500 metra kub ujë në sekondë.

Reshjet, probleme në qarkun e Lezhës

LEZHË- Në qytetin e Lezhës në lagjen “Skënderbeg” dy banesa janë nën pushtetin e ujit, po ashtu tek shkolla në qendër të qytetit ka shumë ujë dhe nuk ka mundësi që të zhvillohet mësim. Në komunën Zejmen, në fshatin Gryke Manati 3-4 banesa janë nën ujë, probleme ka dhe në fshatin Zejmen dhe Markatomaj ku 4-5 banesa janë nën ujë, ka bërë të ditur policia e Lezhës. Gjithashtu dhe në komunën Dajç, një pjesë e fushës në fshatin Dragushë është nën ujë. Problem janë paraqitur në dhe në qarkullimin e makinave. Sipas policisë, rruga automobilistike, aksi i vjetër Lezhë-Milot, për shkak të mbetjeve inerte që kanë sjellë përrenjtë, ka vështirësi në kalim. Deri ditën e djeshme nuk ka pasur probleme në njerëz. Ndërkaq në rrethin e Kurbinit rrugët janë të kalueshme dhe nuk paraqesin probleme, po ashtu dhe furnizimi me energji elektrike.

Durrës, balta bllokon rrugën e Currilave

DURRËS- Reshjet e shumta të shiut të rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar një tjetër rrëshqitje dherash në zonën kodrinore të qytetit të Durrësit. Për pasojë është bllokuar përkohësisht aksi rrugor që lidh qytetin me Currilat, në zonën ku ngrihet dhe universiteti “Aleksandër Moisiu”. Mjete dhe punonjës të ndërmarrjes së bashkisë punuan për largimin e dherave nga rruga dhe rikthimin në normalitet të trafikut. Rrëshqitjet e vazhdueshme të dherave si rezultat i shpyllëzimit masiv të kodrës dhe ndërtimeve pa kriter në të, e kanë kthyer në emergjente situatën në këtë pjesë të qytetit bregdetar. Rreth 274 objekte rrezikohen nga ky fenomen, ndërsa bashkia është në fazën e përgatitjes së një studimi për llojin e ndërhyrjes që duhet ndërmarrë për të shmangur rrezikun e vazhdueshëm. Dhjetëra familje dhe biznese bashkëjetojnë prej kohësh me frikën nga vërshimet e dherave mbi to dhe jo pak janë dëmtuar.

Privatizimi i tokës shtetërore, miratohet drafti

Të gjithë ata persona që kanë ndërtuar mbi tokë shtetërore dhe kanë marrë pronësinë e ndërtesës por jo të tokës, mund ta privatizojnë këtë të fundit me kushte lehtësuese ose në të kundërt do të paguajnë një taksë prej 10 për qind të vlerës së tokës në vit. Qeveria do të taksojë të gjitha ato familje dhe biznese që kanë në pronësi banesa ose objekte të ndërtuar mbi pronë shtetërore për të cilën nuk kanë pronësinë. Është ky thelbi i projektligjit të miratuar nga Ministria e Financave që është miratuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Sipas draftit , personat që aplikojnë për privatizim brenda 6 muajsh mund të paguajnë deri në 20 për qind të vlerës me bono thesari. Vlera e tokës do të përcaktohet mbi çmimet e referencës të vendosura nga qeveria. Të ardhurat nga shitja dhe privatizimi do të shkojnë 75 për qind për qeverinë dhe pjesa tjetër për pushtetin vendor. Sipas MF-së, janë 13 mijë familje dhe biznese në gjithë vendin që preken nga ky ligj, por Ministria nuk e di se sa është sipërfaqja totale e tokës.

21 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›