Imami: Privatizimi i pronave të ushtrisë, proces transparent

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaron se nxjerrja në treg e 700-800 objekteve, kryesisht reparte ushtarake, është një procedurë transparente. Ky proces i ndërmarrë në kuadër të privatizimeve të paralajmëruara pak kohë më parë nga qeveria shqiptare ka ngjallur debate mes mazhorancës dhe opozitës, e cila e konsideron “privatizimin e pronave të ushtrisë, një proces jo transparent dhe të korruptuar”. Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes Arben Imami siguron se nxjerrja në treg e pronave të tepërta të ushtrisë është mesë transparente për publikun dhe fakt për këtë është dhe listimi i tyre, një për një, në web-in e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai ka garantuar se pronat po nxirren ne treg duke respektuar të gjithë procedurën e nevojshme dhe sipas tij nuk ka asnjë procedurë të dyshimtë në privatizimin e tyre. Në fakt, privatizimi i pronave të ushtrisë që nuk janë në përdorim efektiv konsiderohet si pjesë e një plani të integruar veprimi për çlirimin e Forcave të Armatosura, jo vetëm nga pronat e tepërta, por nga të gjitha materialet e tepërta, në mënyrë që ato të mos peshojnë më në jetën e përditshme të Forcës Tokësore, Detare e Ajrore. Ushtria shqiptare ka nxjerrë në treg 700-800 objekte kryesisht reparte ushtarake apo kapanone në gjithë territorin e vendit, të trashëguara nga periudha e komunizmit dhe që prej vitesh kanë dalë jashtë përdorimit për shkak të modernizimit të Forcave tona të Armatosura, tashmë anëtare me të drejta të plota në NATO.
Të gjitha këto prona që janë në proces privatizimi dhe që shtrihen nga veriu në jug, në maja malesh apo fusha, gjenden të renditura në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Cila është e vërteta e akuzave të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama lidhur me asetet e ministrisë së mbrojtjes?
Nuk është çështja të sqaroj polemikat e kryetarit të bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste. Problemi është se PS po mban një qëndrim kundër privatizimit me idenë që kur të bëhen këto privatizime, referuar dhe deklaratave të përfaqësuesve të kësaj partie, do të bëhen në mënyrë të korruptuar. Mirë është t’i drejtohemi ligjit. Nëse ligji lë hapësirë ta rregullojmë, nëse ka vërejtje konkrete media është, sikurse është dhe kontrolli parlamentar dhe mekanizmat e tjerë funksionojnë. Kjo është një demokraci që funksionon, sado që ka probleme. Dua të sqaroj se ne as i shesim dhe as i blejmë. Por ne kemi prona të tepërta, të cilat janë identifikuar pas një pune shumë vjeçare. Më në fund Presidenti ka përcaktuar pronat të cilat do të mbeten për ushtrinë tonë, listë të cilën ia ka çuar Shtabit të Përgjithshëm dhe ministrit përkatës. Sepse ne kemi një plan strategjik afatgjatë, zhvillim të forcës dhe sigurisht do të investojmë aty ku do të qëndrojë ushtria. Te gjitha ato pronat e tjera që nuk na duhen, sigurisht do t’i çojmë në Ministrinë e Ekonomisë për të ndjekur më tej procedurat. E gjithë retorika për këto, me thënë të drejtën nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Nga 700-800 prona që kanë dalë gjithsesj, se ka transparencë të plotë, as 20 prona nuk janë kërkuar, sepse një pjesë e madhe e këtyre pronave janë në vende që nuk u vlejnë le të themi biznesit apo jetës.
Këto janë prona të cilat kalojnë nga Ministria e Mbrojtjes në Ministrinë e Ekonomisë?
Po, këto janë prona që kalojnë nga Ministria e Mbrojtjes në Ministrinë e Ekonomisë e cila më pas i fut në proces privatizimi. Kjo është një çështje transparente që çdo kush e sheh në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është një punë për t’u bërë, të cilën po të mos e bënim do të na thonin përse nuk e bëni.
Pse opozita këmbëngul, ku i mbështet ajo kërkesat e saj?
Opozita këmbëngul kryesisht pasi nuk e di, sepse pjesa më e madhe e përfaqësuesve të saj janë të rinj sikurse dhe kryetari i opozitës që është marrë përciptazi me politikë dhe me administratën në tërësi. Kështu ishte dhe rasti në parlament. Folën për një uzinë Dinamo, me të cilën Ministria e Mbrojtjes nuk ka të bëjë. Opozita protestonte pse nuk i ishte dhënë pushtetit lokal kur vetë bashkia e Tiranës kishte rënë dakord që kjo pronë t’i kalonte ish- pronarëve. Kjo është situata.
Në momente të caktuara duket sikur kryetari i bashkisë së Tiranës dhe kryesocialisti Rama ju atakon ju, gjë që nuk ndodh me ministrat e tjerë. Keni ndonjë koment lidhur me atakimet e kryetarit të bashkisë?
Nuk ka asgjë personale në këtë sulm, por çështja është se socialistët kanë vendosur ta godasin privatizimin dhe thelbi i kësaj goditje është i lidhur me faktin se socialistët po kërkojnë që punët të shkojnë sa më keq. Nëse punët shkojnë keq, sipas tyre qeveria bie. Padyshim, nëse pronat do të shiteshin ne do të kishim ngarkesë më të vogël në buxhetin e shtetit për t’i mbajtur dhe nga ana tjetër do të kishte një minimum, sa do të kushtonin. Këto nuk janë prona me vlerë që i kanë punuar gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë. Sigurisht ndër to ka vende me interes për biznesin apo qytetarët. Por, në tërësi nuk janë të tilla. Ato gjenden ku ka qenë e vendosur ushtria jonë, në të gjithë Shqipërinë e jo vetëm në Tiranë apo bregdet, por edhe në qytete të tjera si në Dibër, Kukës, në majë të maleve, në gryka të thella, që dhe po të t’i japin nuk do të dëshiroje t’i merrje. Ne po punojmë me publikun, po e lusim publikun të vijë t’i marri, sikurse dhe drejtuesit e komunave dhe bashkive përkatëse ku ato ndodhen.
Si do të vazhdojë kjo punë? Ka ndonjë strategji të përcaktuar?
Kjo punë do të vazhdojë kështu, siç është. Ligjet janë të mbaruara. Së pari kjo është një direktivë politike jo vetëm për pronat e ushtrisë, por edhe për prona të tjera që disponon shteti. Ne jemi në një moment që nuk kemi pse të mbajmë prona të cilat nuk janë më efektive dhe që shtetit nuk i sjellin të ardhura, sepse shteti o duhet të marrë të ardhura nga këto prona ose duhet t’i fusë në treg që të krijojë të ardhura. Kjo listë është hartuar në fund të vitit të shkuar dhe është miratuar përfundimisht në dhjetorin e vitit 2009. Kur flasim për këtë listë flasim për një moment të ri në historikun e Ministrisë së Mbrojtjes, por ndërkohë prona në mënyrë të vazhdueshme janë privatizuar, i janë dhënë pushtetit lokal etj. Nuk ka absolutisht asgjw të re.
Jeni dakord me strategjinë e privatizimit masiv duke pasur parasysh se ka një platformë radikale ekonomike, ndërkohë që socialistët dhe ish guvernatori i bankës Shkëlqim Cani e quajnë një privatizim që rrënon një pjesë të rëndësishme të pasurisë kombëtare?
E thashë dhe në parlament se pasuria kombëtare është e privatizuar në masën më të madhe. Janë privatizuar asete strategjike të telefonisë, në energjetikë, në komunikime. Këto nuk janë asete strategjike pikë së pari, e dyta politika e privatizimit ka qenë një politikë e pa ndërprerë edhe gjatë viteve 90, madje edhe kur ka qenë zoti Cani Guvernator i Bankës. Dhe kjo nuk është një politikë që shkon kundra vendit, në asnjë rast. Një pronë e cila mbetet shtetërore, e cila nuk përdoret, është jashtë tregut dhe nuk krijon vlerë, e njëjta pronë duke u privatizuar kalon në duart e një privati, legalizohet, regjistrohet, hyn në treg dhe bëhet aset. Nuk ka pronë jashtë tregut dhe jashtë ligjit. Vetë zoti Cani e kupton këtë gjë se ka 20 vjet që e ka kuptuar. Të tjerë pranë këtij ndoshta dhe nuk i kuptojnë këto terma. Por këto janë terma tashmë të vendosur dhe në ekonominë botërore dhe në mendimin legal dhe ekonomik botëror dhe absolutisht nuk mund të diskutohen. Nëse ka vërejtje, ose mosbesim... ndaj vlen opozita. Dhe ne po të ishim në opozitë do të kishim dyshimet tona, sigurisht do të kishim dhe kundërshtimet tona. Problem është që opozicioni që bën ka për qëllim të ndihmojë procesin apo ta shkatërrojë atë. Nëse zoti x apo y, mendon se ky privatizim e shkatërron Shqipërinë duhet të thotë ku dhe pse, që nuk duhet bërë fare privatizimi, apo duhet të kthehemi tek shtetëzimi. Ata flasin për shtetëzim, ata thonë se po privatizuam do të shtetëzojmë. Nëse këto prona i jepen publikut ato nuk kyçen, ato hapen. Pasi kjo është një listë nuk është diçka së cilës mund t’i shmangesh. është një fakt. Fakti këtu është i dukshëm dhe mbi bazën e këtij fakti po flasim. Nëse privatizohet ish-reparti në Cërrik, çfarë humbet zoti Cani apo Rama? Nëse kanë vërejtje për procesin duhet t’i kthehemi ligjit ta shikojmë, ta plotësojmë, çdo gjë është e mundur. Unë do të isha për të rishikuar ligjin, për ta thjeshtëzuar ligjin. Për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, përfundimtare dhe t’i çoj sa më shpejt këto në treg dhe tek privati. Sepse sa më shumë që rrinë aq më shumë peshojnë. Sa më shpejt të shkojnë te privati aq më mirë është për ekonominë shqiptare. Por, sigurisht që ka dhe interesa të tjera si transparenca që është barazia para ligjit. çdo kush ka të drejtë të përfitojë. Ndaj e them përsëri. Ju lutem lista ja ku është hajdeni dhe merreni. Drejtohuni tek ky portal dhe ejani merrini për çfarë u duhen për punë, për biznes.