Vendimi i drejtë i GJND-së dhe arrestimi i padrejtë i Ramush Haradinajt
1.Me 22 korrik kur GJND-ja mori vendim se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje më të drejtën ndërkombëtare. Kjo ditë i gëzoi shqiptarët kudo në botë. Dita më e lumtur për shqiptarët padyshim se ishte ajo kur pas 78 ditësh të bombardimeve të caqeve kriminale serbe nga forcat e NATO-s dhe luftës çlirimtare të shqiptarëve, ku falangat e Millosheviçit pas gadi 90 vitësh të sundimit u shporrën nga Kosova. 17 shkurti padyshm se është një tjetër datë shumë e lumtur për popullin shqiptarë. Kosova u shpallë shtet sovran dhe i pavarur,duke shprehur kështu vullnetin legjitim të popullit shqiptar për vetëvendosje. Me 22 korrik morën fund kërkesat dhe ankesat e Serbisë e cila me ndihmën e Rusisë, dhe disa qarqeve të caktura evropiane për tetë vite arritën ta zgjasë definimin e statusit politik të Kosovës. Amerika mike i ndërpreu ndërhyrjet ndërkombëtare përtejshekullore, të cilat kishin filluar që nga viti i largët 1876 të Konferencës së Ambasadorëve, e cila vendosi në dëm të shqiptarëve. Pastaj, Kongresi i Berlinit i vitit 1878 ku edhe njëherë tjetër fuqitë e mëdha të kohës, Shqipërinë e lanë anash. Kështu u veprua edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër të vitit 1912-13, ku Shqipëria u shpall shtet autonom, nën sovranitetin e Sulltanit. Edhe disa konferenca të radhës vendosën në dëm të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Krijesa artificiale e ish-Jugosllavisë u shpërbë përfundimisht me luftë në vitin 1999, të cilën e imponoi Serbia e shumë elaborateve shfarosëse karshi shqiptarëve.
Vendimi i GJND-së me të drejtë u quajt fitore historike për Kosovën. Nga shumë prononcime të burrshtetasve të ndryshem botërorë, veçuam deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha i cili tha: “GJND-ja e miratoi vullnetin hyjnor për Kosovën”. Shqipëria punoi shumë në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Përfundimisht u hoqën dilemat edhe për ato shtete, të cilat edhe deri më tani kishin hezituar ta pranonin pavarësinë e Kosovës. Sigurisht që tash do të kemi njohje të reja nga shumë shtete të botës. Shumë shpejt vendi ynë do ta ketë edhe vendin e merituar në OKB. Bisedimet për çështje praktike që priten të mbahen midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, pas këtij akti madhor, sigurisht se do të jenë shumë më të favorshme për palën shqiptare. Nese shpallja e pavarësisë ishte e drejtë legjitime e shqiptarëve siç u proklamua nga GJND-ja, atëherë edhe administrata ndërkombëtare në Kosovë, nuk bën të vazhdojë mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Pushteti dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila u mbështet edhe nga bashkësia ndërkombëtare duhet të vihen në funksion në çdo cep të saj. Minoriteti serb me planin e Ahtisarit merr më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botë!
2.Gëzimin që solli vendimi i drejtë i GJND-së, u zbeh me arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj nga Gjykata e Hagës. Për një vendim të tillë të kësaj gjykate, reaguan edhe institucionet tona shtetërore. Vendimi i Gjykatës së Apelit ishte befasues për të gjithë ne. Por, besojmë se Haradinaj edhe njëherë do ta dëshmojë pafajësinë e tij. Haradinaj u arrestua pikërisht në kohën kur pritej shpallja e vendimit të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Edhe procesi gjyqësor i vitit 2007 ishte i natyrës politike, i planifikuar nga kulisat e Beogradit dhe disa aleatëve të saj. Rigjykimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, sa është absurd, po aq është i pakuptueshem, kur dihet se ai njëherë e kishte dëshmuar pafajësinë e tij para TPI-së. Haradinaj ishte shumë kooperues me gjykatën në fjalë, edhe për faktin se ishte i bindur se do të lirohet. Lufta e shqiptarëve ishte e drejtë, dhe veç serbët mund të fabrikojnë rrena të tilla se gjoja pjesëtarët e UçK-së, paskëshin bërë krime ndaj civilëve serbë. Masakra dhe vrasja masive mbi shqiptarët dhe myslimanët kryen forcat militare dhe paramilitare serboçetnike të kryekriminelit Millosheviq, Karaxhiçit, Mlladiçit, Arkanit, Sheshelit e shumë e shumë kriminelëve të tjerë që pikërisht ky tribunal ishte dashur ti zhvilloj hetimet. Sa e sa kriminelë serbë po shëtisin të lirë pa frikë se do të ndeshen me ligjin. Sa materiale nga KMDLNJ-të e Kosovës i janë servuar TPI-së me emra dhe mbiemra të kriminelëve serbë, e TPI-ja shumë pak ka bërë që këta kriminelë të arrrestohen. Që 15 vite po shëtitet i lirshem, njëri ndër kriminelet më të mëdhenj të pasLuftës së Dytë Botërore, siç është Ratko Mlladiç, të cilin s’po behet e mundur ta arrestojnë, kur dihet se ai është fajtori kryesor për mijëra myslimanë të vrarë dhe të masakruar gjatë luftës në Bosnje. Bashkësia Ndërkombëtare as që po bën ndonjë trysni mbi Beogradin zyrtar për arrestimin e tij. Ky tribunal e ka filluar ta humbë kuptimin atë ditë kur zonja Carla del Ponte ra pre e akuzave të fabrikuara nga Beogradi për të arrestuar edhe shqiptarë të cilët mbrojtën pragun e shtëpive të tyre. Ata nuk shkuan në Serbi për të luftuar. Të ulen në një bankë gjykimi krimineli dhe viktima është e pajustifikueshme. Ramush Haradinaj është mishërim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nga Serbia fashiste. Ai dhe familja e tij sakrifikuan shumë për lirinë të cilën e gëzojmë të gjithë ne sot.
Prandaj, edhe proceset e tilla të montuara politike ishte dashur njëherë e mirë të marrin fund. Na mbetet të besojmë së kolegji gjyqësor në procesin Haradinaj dhe të tjerët, do të veprojë drejt, duke mos e shkelur etikën dhe normat e drejtësisë. Ish-komandanti i UçK-së, z.Ramush Haradinaj duhet t’i kthehet familjes dhe Kosovës.