E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Shqipëria kontribut në misionet e NATO-s

TIRANE - Mblidhet për herë të parë në Tiranë Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës së Traktatit të Atlantikut. Në Asamble përfaqësohen organizatat kombëtare të 43 vendeve anëtare e partnere të NATO-s, përfshirë edhe Këshillin Atlantik të Shqipërisë.

Për herë të parë në këtë Asamble merrte pjesë, si i ftuar, një delegacion nga Këshilli Atlantik i Kosovës, i kryesuar nga presidenti i këtij këshilli Agim Çeku, i cili është njëkohësisht ministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, në fjalën e mbajtur, u shpreh se Shqipëria ka ngritur standardet, lirinë dhe për herë të parë në historinë e saj, sigurinë kombëtare.

“Ne i jemi mirënjohës të gjitha atyre vendeve që hapën dyert e tyre për të na pranuar në familjen e madhe, në këtë periudhë tranzicioni të anëtarësimit në Aleancë. Shqipëria, jo vetëm është krenare për qënien pjesë e Aleancës, por si pjesëmarrëse në mbrojtjen dhe mbështetjen e sigurisë rajonale, Shqipëria është një kontribuese e madhe në luftën kundër terrorizmit në rang global." theksoi Imami.

“Shqipëria po jep kontribut në misionet ushtarake, nëpërmjet bashkëpunimit origjinal-operacional dhe duhet përmendur shkolla e policisë në Kabul. Gjithashtu, trajnuesit tanë janë përfshirë në misione të ndryshme në Afganistan, për të krijuar kapacitete të Forcave të Sigurisë Afgane", vijoi më tej ministri i Mbrojtjes.

Në mbyllje të diskutimit të tij, ministri Imami u ndal edhe në rëndësinë dhe domosdoshmërinë që ka bashkëpunimi nëpërmjet vendeve anëtare të NATO-s.
Përfaqësuesit e 43 vendeve anëtare të NATO-s do të përmbyllin nesër diskutimet dhe shkëmbimin e eksperiencave në Asamble.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›