Imami: Statusi i ushtarakut, gradat dhe edukimi, prioritet i mbrojtjes
Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi dje një seancë dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, për sistemin e ri të edukimit të ushtarakëve dhe Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe bashkëveprimi i kësaj strukture me institucionet e tjera shtetërore, që kanë interesa në det. Gjatë diskutimit në komision, Imami theksoi se përqendrimi i përpjekjeve te fuqia njerëzore është njëra prej alternativave më të sigurta në një kohë kur sistemet e armatimit dhe të teknologjisë rrezikojnë të dalin shpejt jashtë përdorimit për shumë shkaqe, ku edhe avancimi teknologjik konsiderohet si njëri nga më të rëndësishmit. Imami nënvizoi më tej se puna e Ministrisë së Mbrojtjes është përqendruar në tri drejtime kryesore, që konsistojnë në: hartimin e strategjisë kombëtare për arsimimin e ushtarakëve, përmirësimin e ligjit të gradave dhe karrierës ushtarake, si dhe hartimin e statusit të ushtarakut. Të gjitha këto, vuri në dukje ministri, synojnë që krahas përthithjes në radhët e Forcave të Armatosura të kapaciteteve më të mira, të minimizojnë edhe braktisjen e ushtrisë nga kapacitetet ekzistuese. Anëtarët e komisionit vlerësuan vizionin dhe vendosmërinë me të cilën Ministria e Mbrojtjes po punon për reformimin e sistemit të edukimit të ushtarakëve, duke bërë të mundur që Shqipëria ti ofrojë Aleancës së Atlantikut, në të gjitha strukturat e saj, oficerë cilësorë, të aftë që të marrin përsipër përgjegjësi jo vetëm në nivel kombëtar.