Imami e Nishani përgënjeshtrojnë Bashkinë e Tiranës: “I kemi paguar taksat”
Dy ministra të kabinetit qeveritar kanë hedhur poshtë deklaratën e një dite më parë të zëdhënëses së Bashkisë së Tiranës, e cila bëri të ditur se këta ministra dhe të tjerë nuk kanë paguar taksat e pushtetit vendor. Në një deklaratë për mediat, si ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ashtu dhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, kanë publikuar faksimile të faturës së pagesës së taksave për pushtetin vendor duke rrëzuar poshtë deklaratën e Bashkisë së Tiranës. “Në respekt të opinionit publik dhe funksionit tim si ministër, ju sqaroj se deklarimi i Bashkisë së Tiranës për mospagimin e taksave lokale është keqinformues dhe tendencioz. Së pari, taksat lokale janë paguar nga ana ime çdo vit, duke përfshirë edhe vitin 2009, brenda afatit të parashikuar, dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga libreza e taksave vendore”, - është shprehur Imami.
21 Dhjetor 2009