Seleksionohen 25 anëtarët e Kryesisë së re Qendrore të PD-së
Votimi për Këshillin nxjerr në pah figurat e reja që rriten në detyrë
Eljona Ballhysa
Votimi për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka etiketuar 25 anëtarët e rinj të Kryesisë Qendrore të PD-së. Me zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar pritet zhvillimi i mbledhjes së parë të tij. Pas kësaj, me konstituimin e Këshillit, ky organ zgjedh me votim të fshehtë nga një listë paraprake e përgatitur nga lidershipi i partisë, 25 anëtarët e Kryesisë Qendrore, që është dhe organi më i lartë vendimmarrës i PD-së. Nëse do t’i referoheshim listës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, atëherë duket se 25 anëtarët që kanë marrë më shumë vota, nga 1260 delegatët e pranishëm në Kuvendin Kombëtar, pritet të jenë edhe anëtarët e rinj të Kryesisë Qendrore të PD-së. Në 25 anëtarët e parë bien në sy emra të rinj, kryesisht deputetë të PD-së, që gëzojnë një mbështetje më të madhe se një pjesë e anëtarëve të vjetër të Kryesisë Qendrore. Ajo që duket qartazi është qëndrueshmëria e figurave të lidershipit të PD-së. Pra Berisha, Topalli, Patozi e Bode kryesojnë listën e anëtarëve të Kryesisë se re Qendrore të PD-së.
Rrezikojnë
Duke u nisur nga numri i votave që kanë marrë në zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Kombëtar rrezikojnë të mos jenë pjesë e Kryesisë së re një sërë ish-anëtarësh, të tillë si Ilir Rusmali, Leonard Demi, Mimoza Hasekiu, Liri Dibra, Margarita Qirko, Marieta Zaçe, Maksim Cikuli, Halit Shamata, e Ilir Bano. Po kështu, duke u nisur nga numri i votave, duket se edhe figura me rëndësi në PD rrezikojnë të mos jenë pjesë e Kryesisë, si Arben Imami, që është një prej themeluesve të PD-së. Edhe dy ish-drejtuesit e PDR-së, të saporikthyer në PD, Genc Pollo e Tritan Shehu, nuk bëjnë pjesë në 25-shen e parë të më të votuarve. Sigurisht, pritet që në Kryesi të mos bëjnë pjesë Aleksandër Biberaj e Omer Stringa, të cilët mbetën jashtë Këshillit Kombëtar duke mos marrë votat e duhura që të futeshin në listën e 100 anëtarëve fitues. Ndërkaq, pritet të jetë pjesë e Kryesisë kryetari i Degës së PD-s së Tiranës, Aldo Bumçi, i cili nuk ishte pjesë e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, pasi kryetarët e degëve janë automatikisht pjesë e këtij forumi.
Të rinjtë
Në listën e 25 anëtarëve më të votuar të Partisë Demokratike spikasin disa emra të rinj që më parë nuk kanë qenë pjesë e këtij forumi të lartë vendimmarrës të PD-së, siç është Kryesia Qendrore. Në rast se do t’i bazoheshim këtij votimi, atëherë pritet që në Kryesinë e re të bëjë pjesë një ish-studente e Dhjetorit ’90, aktualisht deputete e PD-së, Mesila Doda. Pas saj pritet që anëtar i Kryesisë të bëhet me të drejtë vote Gerti Bogdani. Ky i fundit ka qenë pjesë e Kryesisë për shkak të postit si sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk ka pasur të drejtë vote. Bogdani bën pjesë në listën e 25 personave më të votuar të PD-së dhe pritet të jetë pjesë e Kryesisë së re. Pas tij vjen ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, aktualisht deputet i PD-së, Gent Strazimiri. Ai pasohet nga aktorja deputete Rajmonda Bulku. Pas saj vjen një ish-këshilltare e kryeministrit Berisha, aktualisht deputete, Albana Vokshi. Pjesë e Kryesisë së re pritet të jetë prefekti i ri i Tiranës, Keltis Kruja, si dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, e cila ka arritur të jetë pjesë e listës së 25 anëtarëve më të votuar të PD-së.
Kryesia e re
Sali Berisha
Jozefina Topalli
Astrit Patozi
Ridvan Bode
Sokol Olldashi
Edi Paloka
Bujar Nishani
Flamur Noka
Lulzim Basha
Majlinda Bregu
Mesila Doda
Ilir Rusmali
Jemin Gjana
Gert Bogdani
Genc Ruli
Gent Strazimiri
Rajmonda Bulku
Albana Vokshi
Ferdinand Xhaferri
Myqerem Tafaj
Edmond Spaho
Fatos Beja
Keltis Kruja
Ferdinand Poni
Erla Mehilli
Rrezikojnë mospërfshirjen në Kryesi
Arben Imami
Genc Pollo
Tritan Shehu
Ilir Rusmali
Leonard Demi
Mimoza Hasekiu
Liri Dibra
Margarita Qirko
Marieta Zaçe
Aldo Bumçi
Maksim Cikuli
Aleksandër Biberaj
Halit Shamata
Ilir Bano
Omer Stringa
21 Dhjetor 2009