Në Vlorë “luhet” për Maganin
Kur Gramozi dhe Flamurtari u përballën në fazën e parë në Ersekë, në atë ndeshje të fituar 2-0 nga kolonjarët falë dy golave të realizuar nga Genc Hyseni e Armando Sadiku, ngjarja më shumë kishte të bënte me dy trajnerët respektivë. Trajneri i atëhershëm i Gramozit, Ilir Qirjako, edhe pse fitoi u shkarkua dhe u zëvendësua nga ky aktual, Agim Canaj, ndërsa ai Flamurtarit, Gugash Magani, debutoi me humbje në premierën e tij në bankinën vlonjate. Dy skuadrat do të përballen për herë të katërt gjatë këtij sezoni, por me të veçantën se “peshorja” anon tërësisht nga Gramozi, pasi ekipi i financuar nga “Taçi Oil International” eliminoi në Kupën e Shqipërisë pikërisht Flamurtarin, fituesin e fundit të këtij kompeticioni futbollistik. Të supermotivuar pas fitores 2-0 ndaj Skënderbeut, djemtë e Agim Canajt do të zbresin sërish në Vlorë, me statusin e katër pikëve më shumë se Flamurtari i vendit të fundit e që vjen nga një humbje 1-0 në Durrës me Teutën. Trajneri vlonjat i Gramozit, Agim Canaj, është i gatshëm t’i japë një leksion tjetër ish-skuadrës që e ka drejtuar dy sezone më parë, edhe pse e di se luan ndaj një rivali direkt për mbijetesë në Kategorinë Superiore. “Kjo ndeshje ka tjetër specifikë nga ajo e Kupës së Shqipërisë. Flamurtari do të kërkojë me çdo kusht fitoren, por ne do të tentojmë të marrim maksimumin nga fusha e lojës”, - tha Canaj, pavarësisht se Gramozi ende nuk e ka shijuar fitoren e parë në transfertë (3 barazime, 4 humbje). Në fakt, Flamurtari është skuadra me bilancin më të keq në shtëpi, duke fituar vetëm një nga shtatë takimet e luajtura, për më tepër që ka sulmin më të dobët në kampionat (vetëm 9 gola). Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani (pasoi në bankinë Eqerem Memushin), pas dhjetë javësh në drejtim i njeh mjaft mirë pikat e dobëta të skuadrës së dytë që drejton gjatë karrierës së tij të shkurtër (më parë ka drejtuar vetëm Shkumbinin). Nuk ka sulmues race. Golashënuesit më të mirë të vlonjatëve janë lojtari i Kombëtares U-21, Odise Roshi (3 gola) dhe sulmuesi Devis Mema (po 3 gola), por ky i fundit më shumë po dallohet në humbjen e penaltive (2 të tilla në 3 ndeshjet e fundit). Në kampin vlonjat po soset durimi i drejtuesve, të cilët kanë paralajmëruar spastrime në rast se nga ndeshje kundër Gramozit (e parafundit për këtë vit) nuk do të dilet me tri pikët e plota. “Këshilla ime e vetme për lojtarët mbetet fitore për Gramozin”, - paralajmëroi shefi i klubit, Geri Çipi, i cili pret në mënyrë urgjente reagimin e skuadrës, që e ka fituar një herë kampionatin dhe tri herë Kupën e Shqipërisë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 16
19.12.2009
13:30 Flamurtari-Gramozi
13:30 Laçi-Kastrioti
13:30 Shkumbini-Dinamo
20.12.2009
13:00 Skënderbeu-Besa
13:30 Tirana-Apolonia
13:30 Vllaznia-Teuta
RENDITJA
1 Dinamo 15 41
2 Besa 15 27
3 Apolonia 15 24
4 Tirana 15 23
5 Teuta 15 22
6 Kastrioti 15 19
7 Shkumbini 15 18
8 Laçi 15 17
9 Vllaznia 15 15
10 Gramozi 15 15
11 Skënderbeu 15 14
12 Flamurtari 15 11
Dinamo teston Daiun
Trajneri i ri i Shkumbinit, Përparim Daiu, pati vetëm diçka më shumë se 48 orë për të përgatitur ndeshjen debutuese të tij në stolin peqinas. Fati u tregua i pamëshirshëm me teknikun e tretë sezonal të bardhekaltërve (pason Gugash Maganin dhe Kristaq Milen), duke i vendosur përballë Dinamon, skuadrën më të frikshme të këtij sezoni. Ish-trajneri i Besës është i qartë: “Të them të drejtën nuk kisha ndonjë preferencë se cilin ekip duhej të kisha në sfidën e parë. Padyshim, që Dinamo është një skuadër mjaft e fortë, por unë më parë dp të shfrytëzoj këto ditë që kam në dispozicion, e më pas do të shikoj rezultatet që mund të marrim ndaj bluve dhe në takimin tjetër ndaj Teutës”. Shkumbini humbi në fazën e parë 2-1 me Dinamon në kryeqytet, por si zakonisht beson në faktorin fushë. Në Peqin, skuadra ka grumbulluar 16 pikë përkundrejt vetëm dy pikëve të koleksionuara nga ndeshjet në transfertë. Përkundrazi, Dinamo (8 fitore në 8 ndeshje në shtëpi), farë mirë mund të konsiderohet edhe një skuadër e suksesshëm në transfertë: 7 ndeshje, 5 fitore, 2 barazime, për më tepër që ka shënuar po aq gola në transferte (12) sa ka realizuar Shkumbini në shtëpi (po 12 gola). E mbërthyer nga viroza e gripit (katër lojtarë, Pisha, Mallota, Kotori e Sefa), skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça beson në vazhdimëinë e fitoreve, teksa ka arritur shtatë të tilla rresht dhe 13 të tilla në 15 ndeshje.
Me tre goleadorë të mirëfilltë në grupin e lojtarëve: Bakaj (10 gola), Sefa (9) e Soza (4), por dhe me një futbollistë shënues tradicionalë si Kuli (2), Malarkane (2), Muça (2), Plaku (1), Diop (1), skuadra që ka realizuar mesatarisht më shumë se dy gola për ndeshje, beson se do të dalë e pathyer nga fusha e Peqinit, një aleat i hershëm i bluve, për më tepër që fitorja e fundit e Shkumbinit me Dinamon daton, më 12 shkurt të vitit 2005 (1-0).
Laçi – Kastrioti, derb nervash
Laçi-Kastrioti është një derbi tradicional, një përballje me një grintë specifike, çka reflektoi edhe në ndeshjen midis tyre në fazën e parë të përfunduar në barazim pa gola, por me shumë akuza të ndërsjellta midis dy kampeve. Ndërkohë që Laçi humbi në Fier me Apoloninë (2-0), Kastrioti shpërtheu me një fitore të bujshme ndaj Shkumbinit (4-1) e që rezultoi fatale për ish-trajnerin e peqinasve, Kristaq Mile. Dy skuadrat e ardhura nga Kategoria e Parë për momentin ndodhen jashtë zonës së ftohtë, me Kastriotin (19 pikë) që ka dy pikë më shumë se Laçi (17), por si trajneri i qetë i laçjanëve, Stavri Nica, ashtu dhe impulsivi i krutanëve, Ramadan Ndreu (i pezulluar dy herë nga Komisioni i Disiplinës vetëm gjatë 15 javëve të para), synojnë fitoren ndaj njëri-tjetrit.
19 Dhjetor 2009