E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Samiti i Kopenhagës, me rëndësi për Shqipërinë”

Kryeministri Berisha vlerësoi dje punimet e Samitit të Kopenhagës për mbrojtjen e klimës, duke theksuar se ky samit ishte i rëndësishëm për Shqipërinë. Berisha u shpreh se gjatë vizitës treditore ka zhvilluar takime të rëndësishme me krerë të shteteve të zhvilluara të botës. Kreu i Ekzekutivit vuri në dukje se gjatë këtyre takimeve ka kërkuar investime në Shqipëri dhe ka lobuar për njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Berisha gjithashtu shprehu emocionet e takimit të tij me Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama. Ai konfirmoi edhe njëherë premtimin që ka marrë nga presidenti amerikan se do të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen. Sipas Berishës, ai ka zhvilluar takime mjaft të rëndësishme me kancelarin gjermane Merkel dhe presidentin francez Sarkozi. Berisha e cilësoi arritjen e marrëveshjes për klimën mjaft të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën. Gjithashtu Berisha i sqaroi gazetarët për deklaratat e tij të mëparshme për ndërtimin e centralit bërthamor dhe më pas për kthimin e Shqipërisë në superfuqi të prodhimit të energjisë së gjelbër. Duke iu përgjigjur gazetarëve, Berisha garantoi se do të plotësojë çdo kusht të opozitës për t’i dhënë fund krizës politike në vend, me përjashtim të hapjes së kutive.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›