Imami: Çështja e sigurisë Kosovë - Shqipëri ka qenë për ne një dhe e pandarë

Marrëveshje për statusin e anëtarëve të FA dhe FSK-së - Çeku dekoron Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku nënshkruan dje në Prizren marrëveshjen “Për Statusin e anëtarëve të Forcave tё Armatosura tё Republikës sё Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive”. Kjo marrëveshje rregullon procedurat e hyrje–daljes, qëndrimit të përkohshëm dhe statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në territorin e shtetit përkatës. Ministri i FSK-së, Agim Çeku, pasi ka përshëndetur firmosjen e këtij dokumenti, duke u shprehur se: “U arrit një marrëveshje e rëndësishme mes shqiptarëve. Me ministrin Imami, mikun tim, nënshkruam marrëveshjen SOFA, e cila rregullon procedurat e hyrje–daljes, qëndrimit të përkohshëm dhe statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në territorin e shtetit përkatës, si dhe kompetencat dhe juridiksionet përkatëse. Kjo është një marrëveshje që i ka munguar dy vendeve tona, ajo është kulmi i bashkëpunimit shumë dinamik dhe shumë të frytshëm që e kemi pasur me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Forcat e Armatosura dhe personalisht me z. Imami gjatë këtyre 4 viteve, një marrëveshje kjo që e kemi iniciuar të dy bashkërisht”. Duke u ndalur në vizitën e fundit që po zhvillonte z. Imami në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, ministri Ceku theksoi se, “Ky është një rast shumë i mirë për ta falënderuar ministrin Imami për mbështetjen që i ka dhënë FSK-së si një prioritet të punës së tij në Ministrinë e Mbrojtjes sëbashku me FA nga ku edhe i dorëzoi ministrit Imami dekoratën e mirënjohjes për të gjithë angazhimin e tij në këto vite për FSK-në. Në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, pasi ka falënderuar të pranishmit dhe në veçanti ministrin Ceku në këtë ceremoni, u shpreh: “Është një kënaqësi e veçantë, madje një nder, privilegj që vizitën time të fundit jashtë Republikës së Shqipërisë ta zhvilloj pikërisht në Kosovë. Këto katër vjet kanë qenë të rëndësishme për Ministrinë e Mbrojtjes, për FA dhe FSK dhe besoj se zhvillimet kanë qenë të rëndësishme dhe bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer, nga ku kjo marrëveshje kurorëzon shumë përpjekje dhe rrit shkallët e bashkëpunimit, por ajo çka është më e rëndësishme është standardi i NATO-s. Për Republikën e Shqipërisë, çështja e sigurisë Kosovë - Shqipëri ka qenë për ne një dhe e pandarë por kjo çështje sigurie në kuadrin e sigurisë së NATO-s bëhet akoma më e fuqishme duke i dhënë vendeve tona shansin për të ecur përpara në rrugën e integrimit dhe zhvillimit në mënyrë që këto dy vende dhe kombi Shqiptarë të jetë një komb i civilizuar. Shqipëria është një vend i NATO-s, Kosova një vend partner dhe nesër do të jetë pjesë e NATO-s. Jam krenar që në këto katër vite, që janë vitet e para të anëtarësisë së Shqipërisë në NATO, ne kemi bërë gjithçka për të shkuar drejt këtyre qëllimeve dhe objektivave”. Në fund të fjalës së tij, ministri Imami ka falënderuar edhe njëherë palën kosovare për bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ku theksoi se ky bashkëpunim do të forcohet më shumë në të ardhmen. Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë dhe Forca e Sigurisë së Republikës së Kosovës kanë negociuar për hartimin e kësaj marrëveshjeje, e cila do të lehtësojë procedurat e kalimit dhe të qëndrimit të përkohshëm të forcave ushtarake reciproke në territorin e dy shteteve. Duke qenë se Republika e Shqipërisë është vend anëtar i NATO-s dhe Republika e Kosovës është pjesë e PfP-së, NATO, hartimi i këtij drafti u është referuar dispozitave të Marrëveshjes midis Palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut lidhur me Statusin e Forcave të tyre (NATO, SOFA). Kjo marrëveshje synon të rregullojë dhe të lehtësojë njëkohësisht procedurat e hyrjes/daljes dhe të qëndrimit të përkohshëm të personelit të Forcave të Armatosura në territorin respektiv të shteteve tona, si dhe të përcaktojë statusin e këtyre forcave duke respektuar, mbi të gjitha, legjislacionin e brendshëm të shtetit pritës. Qëndrimi i përkohshëm në territorin e shtetit pritës bëhet për qëllim stërvitjeje të përbashkët, trajnimi, kalimi tranzit dhe në rastet e operacioneve të dhënies së ndihmës humanitare apo ato të kërkim-shpëtimit dhe aspekte të tjera të bashkëpunimit ushtarak.