Vijon verifikimi i listave të anëtarësisë/Nis zyrtarizimi i kandidaturave për kreun e ri PD

Nis zyrtarizimi i kandidaturave për postin e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, proces që do të vijojë deri të enjten. Menjëherë pas çeljes së garës për zgjedhjen e drejtuesit të ri të PD-së, zyra e organizimit në këtë parti ka nisur verifikimin e listave të anëtarësisë për votimin sipas parimit një anëtar, një votë të kandidaturave që do të paraqiten për këtë post. Të premten e shkuar, kryesia e PD-së zyrtarizoi hapjen e garës për kreun e ri të saj, pas dorëheqjes nga kjo detyrë të Sali Berishës, lideri i saj historik. “PD ka pësuar një humbje në garë dhe ajo e ka jetike një rikthim të ri të fuqishëm, i cili do të ishte i pamundur pa një lidership të ri. Ndaj dhe ne kemi detyrë kryesore, imediate, të hapim procedurën e zgjedhjes së lidershipit të ri. Ai nuk mund të zgjidhet nga kongresi, nga Kuvendi i partisë, ai duhet të zgjidhet nga “një anëtar një vote”- deklaroi z. Berisha në mbledhjen e kryesisë së demokratëve. Procesi pritet të zhvillohet në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit gusht. Ende nuk janë paraqitur kandidatura zyrtare pranë strukturave të PD-së, por ndërkohë janë distancuar nga gara nënkryetarja e kësaj force, Jozefina Topalli, kreu i grupit parlamentar, Astrit Patozi si dhe sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode.
Patozi: PD ka nevojë për garë të fortë e reale, jo për sharlatanë/Astrit Patozi, numri dy i demokratëve, s’do jetë pjesë e garës për kreun e ri të PD. Pas deklaratës së nënkryetares së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, se ajo nuk do të kandidojë për postin e kreut të kësaj force politike, një gjë të tillë e pohoi edhe nënkryetari tjetër i PD-së. Astrit Patozi bëri të qartë dje se nuk do të jetë pjesë e garës për liderin e ri të selisë blu dhe se ajo duhet të jetë e fortë dhe jo një garë fiktive. Ndërsa garantoi se do të mbështesë çdo kandidaturë dinjitoze, por jo sharlatanët që përpiqen të përfitojnë nga ky proces. “Jam pjesë e përgjegjësisë. Nëse kryetari i partisë merr përsipër të gjitha përgjegjësitë, sigurisht që në radhë të dytë më takon mua që të marr përgjegjësitë e mija. Duke e ndjerë veten pjesë e kësaj përgjegjësie, unë nuk jam pjesë e këtij procesi, nuk kandidoj për kryetar të Partisë Demokratike. Por unë mund të them paraprakisht që do të vlerësoj dhe respektoj çdo kandidaturë dinjitoze, por do të hedh poshtë me neveri çdo sharlatan i cili përpiqet të përfitojë diçka në këtë proces, krejtësisht normal dhe demokratik” - bëri të qartë dje Patozi.
Sipas tij, gara për pasuesin e Sali Berishës duhet të jetë e ndershme dhe se humbësi duhet të pranojë rezultatin. Ndërsa theksoi se PD në këtë fazë ringritjeje ka nevojë për një garë të fortë dhe reale, po aq sa dhe për “fair play”, apo për lojë të ndershme. “Kryetari i ri duhet të ketë një mandat të fortë dhe jo të jetë një garë fiktive. Gjykoj se puna e parë që bën kryetari i ri, i shtrin dorën bashkëpunimit me rivalët e mundshëm në garën brenda llojit, ndërkohë që të tjerët duhet t’i urojnë atij fitoren dhe të bëhen pjesë e të ardhmes së PD-së”, - nënvizoi demokrati. Patozi nënvizoi faktin se do të vlerësojë dhe respektojë kandidaturat dinjitoze, si pjesë të kontributeve të spikatura të PD. Nga ana tjetër, numri dy i partisë nuk mundi të mos deklaronte edhe preferencat për këtë garë. “Unë do preferoja që kryetari i ri t’i përfaqësonte të gjitha flukset e PD që nga themelimi e deri më sot. Kjo do të ishte e pamundur sepse kryetari i ri nuk mund të jetë, Sali Berisha, i cili në njëfarë mënyre ka vënë vulën e tij që nga dita e krijimit e deri sot që po flasim. Unë do doja që kryetari i ri të mishëronte shumicën e këtyre cilësive” - përmendi Patozi.
Për shkak se kryetari i ri demokratëve do të zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë, në Partinë Demokratike anëtarësimet do të mbyllen, që prej kësaj të hëne. Ndërkohë që deri ditën e enjte, do të priten kandidaturat për këtë post, të hapur pas dorëheqjes së Kryeministrit, Sali Berisha. Demokratët presin që të përfundojnë procesin e zgjedhjeve në fund të muajit korrik ose në fillim muajit gusht. Aktualisht nuk ka një kandidaturë zyrtare të depozituar në selinë blu për garën për postin e kreut të partisë dhe pritet që lista të marrë formë këto ditë. Deri më sot janë vetëpërjashtuar, Jozefina Topalli, Ridvan Bode dhe Astrit Patozi. Por shumë emra të tjerë, pjesë të kryesisë së PD-së përfliten.