KQZ shtyn nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve për pesë qarqe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu për të ditën e nesërme shqyrtimin e projektvendimeve për nxjerrjen e rezultatit të votimit në zonat zgjedhore të qarqeve Kukës, Dibër, Korçë, Berat edhe Vlorë. Ndonëse një gjë e tillë duhet të ishte bërë në mbledhjen e djeshme, që në fillim të mbledhjes përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj kërkoi shtyrjen me 48 orë të projektvendimit për Qarkun e Kukësit, pasi sipas tij ka një mospërputhje mes materialit të vënë në dispozicion KQZ-së dhe atij që disponon subjekti zgjedhor përkatës, PS. Por, kjo u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, i cili tha se shtyrja që kërkohet për Qarkun Kukës është e paarsyeshme, pasi materiali për këtë çështje është vënë në dispozicion të KQZ-së që ditën e premte. Pas debatesh, me katër votat e anëtarëve të pranishëm, KQZ vendosi shtyrjen e nxjerrjes së rezultatit jo vetëm për Qarkun e Kukësit, sikurse kërkoi përfaqësuesi i PS-së, por dhe për katër qarqet e tjerë Dibër, Korçë, Berat dhe Vlorë. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme KQZ vendosi të urdhërojë KZAZ-në numër 80 që i korrespondon Qarkut të Gjirokastrës për numërimin fillestar të votave të panumëruara të qendrës së votimit numër 3410. Kjo procedurë u ra dakord ditën e sotme në ambientet e KQZ-së, ku sipas anëtarëve, procedura do të jetë më e lehtë dhe më e shpejtë. Për rrjedhojë, sot në KQZ, do të numërohet fletët e qendrës së votimit 3410 dhe më pas do të shpallet edhe rezultati për këtë qark. Ndërkohë që në ditët në vijim, në përfundim të grumbullimit të të gjithë informacioneve nga KZAZ-të, KQZ do të përllogarisë edhe rezultatet për qarqet e tjera.