E Diel, 1 Nëntor 2026

Në tërësi procesi zgjedhor ishte korrekt, rregullime në Kod për numërimin

02-07-2013 / Gazeta 55

Shefja e misionit të ODIHR, Conny McCormack

Shefja e misionit të ODIHR, Conny McCormack zbulon disa nga gjetjet gjatë monitorimit të zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri. Ajo thotë se sugjerimet e vëzhguesve do reflektohen në raportin final të ODIHR. “Situata dhe problematika në KQZ është një çështje shumë e diskutuar, ajo është renditur si një çështje me natyrë politike edhe pse duhet të ishte një çështje administrative, sipas rregullave të caktuara më herët. Unë mendoj se duhet të ketë përmirësime dhe ne do të nxjerrim edhe rekomandime për këtë çështje. Por duke u ndalur tek momenti aktual, certifikimi i rezultatit është ende i paqartë sesi do të ecë para, sepse siç dihet nga të gjithë ka një kërkesë ligjore për shumicë të cilësuar prej 5 votash që ende nuk ekziston në kompozimin aktual të KQZ”.
Vëzhguesit e huaj nënvizojnë se procesi i numërimit të votave mund të ishte shumë më i shpejtë dhe transparent. Zonja McCormack shton se ndër rekomandimet që do t’u ofrohen palëve, është rishikimi i Kodit Zgjedhor në këtë aspekt. “Ka disa rrugë për të përshpejtuar procesin, i cili ishte transparent deri diku, por grupet e numërimit të votave e ndërprenë punën pa ndonjë arsye të fortë dhe kjo duhet riparë edhe në Kod”. Në javën e fundit në Tiranë, shefja e ODIHR po mbyll një tur takimesh konsultuese me liderët e partive kryesore politike, fitues apo humbës në garën e 23 qershorit. Ndërsa komunikimi i fundit dhe më i shumëpritur për palët është raporti final, i cili publikohet 8 javë pas mbajtjes së zgjedhjeve. “Pas 11 procesesh elektorale që monitorohen nga ODIHR në Shqipëri ka përmirësime, dhe ato do të jenë pjesë edhe e raportit final”.
Meta, McCormack: Të angazhuar për klimë politike bashkëpunuese dhe pozitive/Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti dje Shefen e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR znj. Conny McCormack. Në një deklaratë për mediat të zyrës së shtypit të LSI, thuhet se z. Meta e falenderoi znj. McCormack për përkushtimin e saj personal dhe për punën e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, duke e cilësuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë si shumë të rëndësishme në realizimin e standardeve më të mira të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe të një procesi zgjedhor më të pranueshëm. Njoftimi vijon se, znj. McCormack e përgëzoi z. Meta për rezultatet e arritura nga Lëvizja Socialiste për Integrim, duke i uruar suksese në angazhimet e reja për bashkëqeverisjen e vendit. “Z. Meta u shpreh se mesazhi i shqiptarëve ishte i qartë dhe se koalicioni i ri qeverisës do të tregojë përgjegjshmëri më të madhe në realizimin e reformave madhore që kërkon procesi i integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, z. Meta rikonfirmoi angazhimin e tij dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për garantimin e një klime politike më bashkëpunuese, gjithëpërfshirëse dhe pozitive në vend, ashtu siç duan të gjithë qytetarët shqiptarë” - thuhet në deklaratën për mediat të zyrës së shtypit, të LSI-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›