E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami mbështet fuqizimin e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar me të gjitha mundësitë fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Këto komente, ministri Imami i bëri sot gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin e FSK-së, Fehmi Mujota, me ç’rast është bërë edhe nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.

Imami tha se Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s është e interesuar për stabilitet, siguri dhe integrim të vendeve të rajonit, ndërsa e shprehu zotimin për angazhim të shtetit shqiptar për të kërkuar ndihmën e aleatëve për të ndihmuar posaçërisht Kosovën dhe fuqizimin e FSK-së.

“Unë çmoj se FSK ka bërë një progres të madh e të dukshëm, pasi po vendoset mbi standardet, po krijohet mbi bazat e standardeve më të mira evropiane të forcave të armatosura, duke u mbështetur në misionin e saj kushtetues dhe ligjor. Ka arritje, ka kompetencë, ka profesionalizëm, ka staf. Ajo që dua të theksoj është se ne me mundësitë tona do ta mbështesim fuqizimin e kësaj force, profesionalizimin e mëtejshëm të kësaj force, sepse ne besojmë se nuk mund të ketë, sikurse nuk ka pasur për një shekull një Ballkan stabil, sa kohë që nuk ka një Kosovë stabile”, ka thënë Imami, transmeton KosovaPress.

I pyetur nëse është i largët inkuadrimi FKS-së në NATO, ministri Imami vlerësoi se forca ushtarake e Kosovës është plotësisht e përgatitur edhe për këtë hap, por sipas tij integrimet e euroatlantike të Kosovës do të jenë politike, sikurse ka ndodhur edhe me Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›