E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia suspendon furnizimin e Iranit me raketa kundërajrore

Rusia ka shtyrë për shkaqe teknike furnizimin e Iranit me raketa të avancuara për mbrojtje kundërajrore, ka deklaruar sot një zyrtar rus, shenja kjo më e re për tendosjen e marrëdhënieve mes Moskës dhe Teheranit.

Deklaratat për shitjen kundërthënëse të raketave S300 Iranit vjen vetëm një ditë pas vizitës në Moskë të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, në kuadër të përpjekjeve të tij për të siguruar përkrahje për aksion më të ashpër kundër Teheranit.

“Shtyrja ka ndodhur për shkak të disa problemeve teknike. Raketat do të dërgohen në Iran, pasi që të zgjidhen këto probleme”, deklaroi Alexander Fomin, nënkryetar i Shërbimit Federativ të Rusisë për bashkëpunim ushtarak dhe teknik.

Kontrata e Rusisë për t’i shitur Iranit raketa S300 ka brengosur SHBA-në dhe Izraelin, të cilat besojnë se Teherani mund të shfrytëzojë këto raketa, për të mbrojtur objektet e veta bërthamore nga sulmet e mundshme ushtarake.

Fomin nuk qartësoi se për çfarë probleme teknike bëhet fjalë apo se sa kohë do të nevojitet, për të eliminuar këto probleme, njoftoi agjencia ruse e lajmeve, Interfax.

Netanyahu, i cili ka kërkuar nga Rusia që të suspendojë dërgimin e raketave në Iran, është larguar nga Moska të martën, pas takimit që ka pasur me kryeministrin e Rusisë, Vladimir Putin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›