E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami me të rinjtë në Elbasan diskuton për ndryshimin midis taksës së sheshtë dhe asaj progresive

17-04-2013 / Gazeta 55

Në vijimësinë e turit të takimeve që po zhvillon Kryetari i Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit me të rinjtë e këtij qyteti, z. Imami u ndal këtë herë në zhvillimet ekonomike që ka pasur Shqipëria në këto 8-vjet me programin e Partisë Demokratike falë taksës së sheshtë.
Ministri Imami gjatë takimit me të rinjtë u shpreh se ka dy rrugë stabiliteti me të cilat duhet të përballemi. Ato janë rruga e qëndresës dhe rruga e një zhvillimi të kujdesshëm jo me masën dhe shpejtësinë që do të dëshironim por e sigurtë për të ecur përpara siç kemi ecur në këto 4-vjet krize, ku Shqipëria ka ecur me një mesatare mbi 3 % ndërkohë që fqinjët rreth nesh kanë qënë me tregues zhvillimor negativ ose shumë të vegjël gjatë gjithë këtyre viteve. Shqipëria e pati zhvillimin dhe rritjen e prodhimit të përgjithshëm kombëtarë që në vitin 2008 me një rritje vjetore prej 8-9 % ndërkohë që vende të tjera të rajonit e kishin 3%, tha ai.
Jemi në një moment, cilësoi ai nga ku duhet të vendosim që ta kapërcejmë krizën dhe t’i rezistojmë këtij presioni të madh i cili vjen nga mjedisi ndërkombëtar, ose në të kundërt të përfshihemi e të jemi pjesë e krizës ! Në krizë është Greqia, Italia, Qiproja, Spanja gjithashtu është në vështirësi të mëdha ku papunësia është 25% dhe po ashtu në rajon ka rënë me 20-25%.

Politikat tona financiare  së pari taksa e sheshtë dhe  e ulët, së dyti një mjedis joshës për investimet e huaja, ka bërë të mundur që çdo vit në Shqipëri  të investohen rreth 1 miliardë dollar.
Janë pikërisht këto 1 miliardë dollarë investime të cilat kanë bërë të mundur që Shqipëria t’i rezistoj krizës, e jo vetëm t’i rezistoj por edhe të zhvillohet, të investoj në të gjithë infrastrukturën, në shkolla, në rrugë etj.
Nëqoftëse shohim vitin 2012 tha Imami, ne kemi disa arritje të jashtëzakonshme që nuk i kemi pasur në vite përpara sepse bujqësia në Shqipëri është rritur mbi 6% dhe kjo është ekonomi reale dhe produkt i prekshëm.

Pse nuk ramë në krizë, në stopim  të zhvillimit, në recesion?! Nuk ramë për shkak të investimeve të huaja, të cilat  kanë qenë shumë në këto vite. Në vitin 2005 kanë qenë 50 milion dollarë, në vitin 2010, ’11, ’12, kanë qenë 1 miliard dollarë.

Zhvillimi që pati Shqipëria është i madh dhe i jashtëzakonshëm, aq shumë sa ka mundur të kompensojë një defiçit  të krijuar për shkak  të krizës globale dhe papunësisë së vëndeve fqinje, ku jetojnë dhe punojnë me qindra mijëra shqiptarë. Sigurisht u shpreh Imami, nuk janë vetëm investimet  e huaja, janë edhe invesitimet e brendëshme  që  së bashku shkojnë në shifrën e rreth  10 miliard dollarëve gjatë këtyre viteteve. Kjo është politika jonë, theksoi ai. Vëndi ynë me qeverisjen e këtyre viteve, me modelin e taxës së sheshtë ka treguar se e përballoi stuhinë ekonomike që përfshiu të gjithë europën.

Përballë kemi një tjetër model ekonomik, taksë e lartë dhe progressive që do të thotë të paguash një nivel të ulët taksash  në raport me vendet e tjera të rajonit.
Fakti është që mbas vitit 2006-2007 edhe vende të tjera të rajonit i janë  kthyer taksës së sheshtë dhe e kanë çuar  te 10 %. Nëqoftëse kjo taksë do të rritej , të jeni të sigurtë që , investimet e huaja në Shqipëri do të rriten dhe nëqoftëse investimet e huaja do të uleshin me rritjen e taksave, të gjitha  paratë që do të vinin në Shqipëri, nuk do të na mjaftojnë, sepse një vend i vogël me një ekonomi të vogël nuk i cili ka mjetet e brendshme për të investuar dhe për t’u zhvilluar po nuk pati këto investime të huaja, kjo ekonomi do të futej në krizë.

Ainshtajni ka thënë që: “Një teori, një doktrinë shkencore nuk është e qëndrueshme nëqoftëse nuk ja tregoj dot si një përrallë të shkurtër gjyshes time”. Dhe po ta shohim çdo doktrinë e madhe përshkruhet me 3-4 fjali. Ky qëndrim i joni, kjo doktrinë e jona, përmblidhet në një fjalë, taksa të ulta. Sepse ajo që propozon Rama nuk është gjë tjetër veçse një e panjohur për shqiptarët, ju jeni të rinj, por nuk është e panjohur për prindërit tuaj përpara 8 vjetësh ,tha ai. Para 8 vjetësh  Shqipëria kishte taksa të larta, taksa të  cilat nuk i mblidhte sepse kompanitë, bizneset që ishin pranë qeverisë nuk paguanin taksa, por paguanin para në xhepat e punonjësve të shtetit apo politikës, ndërsa pjesa tjetër e biznesit ishte e detyruar të paguante taksa.

Në këtë mënyrë u shkatërrua konkurrenca dhe kur shkatërrohet konkurrenca dhe tregu nuk ka mundësi për ulje të çmimeve dhe nuk ka një ekonomi e shëndoshë, pra monopolet i marrin frymën tregut.
Bizneset e huaja që po investojnë në Shqipëri me taksën progressive do t’i mbyllnin kompanitë e tyre dhe të jeni të sigurt që brenda 1 viti Edi Rama do ta shkatërrojë ekonominë shqiptare për këtë jam i sigurte sepse ai di të shkatërrojë shumë mirë çdo gjë. Ajo që dua të vë në vëmendjen tuaj ju drejtua Imami të rinjve, është ky model integrimi, ky model i Partisë Demokratike, i stabilitetit politik dhe ekonomik por dhe i zhvillimit të qendrueshëm që kërkon të vazhdojë kështu dhe i një modeli të provuar si shkatërrimtarë në kushtet e lulëzimit dhe prosperitetit global sepse realiteti është që Shqipëria ecte shumë më ngadalë dikur. Shqipëria ecën më shpejt me Sali Berishën në kushtet e krizës globale se me Partinë Socialiste në kushtet e prosperitetit global dhe kjo është e qartë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›